Shurdhani tregon se si e referoi penalltinë në Kragujevc pas demonstratave në Prishtinë dhe si ia anuloi golin Fadil Vokrrit!

0
Gjigandi

Ismet Shurdhani tregon se si e referoi penalltinë në Kragujevc pas demonstratave në Prishtinë dhe si ia anuloi golin Fadil Vokrrit!
Ish gjyqtari i njohur nga Kaçaniku i Kosovës, Ismet Shurdhani për herë të parë ka rrëfyer disa kujtime nga karriera e tij e madhe si gjyqtar futbolli në ish-jugosllavi.

78 vjeçari për gazetarin Reshat Ibrahimi tregon për ndeshjet që i ka referuar Prishtinës, debutimin në Ligën e parë në ndeshjen Cërvena Zvezda-Iskra në Beograd, si iu ka ndarë kartonë të verdhë yjeve të futbollit, anulimin e golit të Fadil Vokrrit, klubin që simpatizonte e të tjerë.

Ai tregon edhe një histori rrëqethëse, kur në vitin 1981, pas demonstratave studentore në Prishtinë, stadiumi i Prishtinës u pezullua dhe KF Prishtina ndeshjet si vendësi ishte i detyruar t’i luante në Kragujevc.

Penalltia që i dhuroi fitoren e artë Prishtinës

RonaTyra

Ishte viti 1981, në Prishtinë shpërthyen demonstratat dhe për këtë shkak ndeshja e paraparë me Borcin e Çaçakut në stadiumin e qytetit në Prishtinë u anulua. Pas demonstratave stadiumi i Prishtinës u pezullua dhe Prishtina pothuajse një gjysmësezon luajti si vendës në Kragujevc. Prishtina pati ardhur në situatë për të rënë nga Liga e dytë, prandaj fitorja me Borcin duhej patjetër të fitohej. Unë u caktova refer. Borcit nuk i nevojiteshin pikët, por luante për Radniçkin nga Piroti. Pjesa e parë përfundoi pa gola, kurse nga fundi i pjesës së dytë e akordova një penallti për Prishtinën. Tortoshi e shënoi golin. Dhe, Prishtina shpëtoi nga liga. Edhe në ligën e parë i kam referuar Prishtinës, psh kundër Vardarit, Sllobodës e të tjerë. 

Image

Debutimi në “Marakana” të Beogradit
Si refer kryesor në ligën e parë të ish-Jugosllavisë kam debutuar në vitin 1984 në Beograd. Kam drejtuar ndeshjen mes Cërvena Zvezdës dhe Iskra Bugojno. Ishte ndeshje me plotë emocione. Asistent i imi ishte i mirënjohuri Stjepan Gllavina. Zvezda ishte favorit, pikët i nevojiteshin, por nuk arriti të shënoj fitore dhe takimi u mbyll pa gola. Zvezdës i pata referuar edhe në Mostar kundër Velezhit. Këta të fundit luftonin për fitore sepse donin të zënë vendin që conte në Kupën UEFA. Kisha presione nga vendësit, por nuk bija në provokime të tilla. Ndeshja përfundoi 1:1. Në atë kohë në ndeshje udhëtonim me aeroplan, ndërsa kur referoja në ligën e dytë udhëtonim me vetura. Kam referuar katër vite. Më herët isha refer në Ligën e dytë, domethënë nga viti 1973-1984. Në ligën e dytë pata debutuar në ndeshjen Duboçica – Bor në Leskovc. Kanë qenë kohë të mira.

Image

Për të ndjerin Fadil Vokrri
Fadili ka qenë lojtar i madh. Në Kosovë është vështir me lind lojtar si ai. Atij nuk u deshke hapësirë e madhe. Gjuajtjen me këmbë e ka pas të fortë. Ka qenë edhe i qetë, mbrojtësit kundërshtarë e rrëzonin, por kurrë nuk ka protestuar. Më vjen keq se ia kam pas anuluar një gol në ndeshjen Vardar-Partizani i Beogradit. Më kujtohet ai moment kur Smajiq pati krosuar dhe unë nuk munda ta shoh nëse topi kishte dal jashtë vijës fundore. Vokrri shënoj, e unë e anulova. Pastaj erdhi dhe reagoi te unë.

Ndeshja më e vështirë
Ka qenë një ndeshje e Ligës së dytë e Jugosllavisë. Referoja në Shtip takimin Bregallnica-OFK Beograd. Vendësve nuk iu nevojiteshin pikët, por luanin për Sutjeskën e Nikshiqit, ndërsa OFK Beogradi kishte ambicie për në ligën e parë. Ndeshja në fund përfundoi pa fitues 1:1. Më kujtohet kishim presion nga vendësit dhe nga stadiumi na nxorën njerëzit e sigurimit të ndeshjes.

Ndeshja që i ka mbetur në kujtesë
Ka pas plotë, por e veçoj ndeshjen në Shkup, Vardar-Rijeka. Shkupjanët kishin nevojë për fitore sepse ishin afër të sigurojnë një vend në Kupën UEFA. Në atë ndeshje ishin të hendikepuar, nuk iu luante Vasil Ringov. Pjesa e parë u mbyll pa gola, kurse në të dytën, pas një kontakti në zonën e rreptësisë së Rijekës, unë e akordova penallti për Vardarin dhe fituan 1:0. Golin e pati shënuar Pançev.

Klubi që simpatizonte
Po ju e dini në atë kohë të gjithë bënim tifo për klubet e ashtuquajtur të “katërshes së madhe”. Cërvena Zvezda, Hajduk, Dinamo, Partizan. Unë kisha simpati për Partizanin, por kur Prishtina hyri në ligën e parë, atëherë e simpatizoja Prishtinën. Megjithatë, këto simpati nuk guxonim t’i shprehnim haptazi, sidomos ne si shqiptarë, sepse na shikonin ndryshe.

Ndëshkimi i yjeve me kartonë
Unë iu kam dhënë kartona të verdhë edhe yjeve të futbollit siç kanë qenë Dragan Stojkoviq-Piksi i Cërvena Zvezdës, Darko Pançev i Vardarit, Fadil Vokrri e shumë të tjerë. Pra, si kam kursyer as këta. Duhej që ta mbaja ndeshjen nën kontroll, sepse ndryshe nuk bënte.
 

Ndeshjet ndërkombëtare
Në vitin 1985 kam qenë asistent i Eduard Shoshtariq në ndeshjen e kupës UEFA mes Fenerbahces dhe Bordos nga Franca. Ndeshja në Stamboll përfundoi pa gola 0-0, dhe turqit u kualifikuan falë fitores prej 0-1 si mysafir. Më kujtohet tifozët një ditë para ndeshjes natën e kishin kaluar në stadium. Ishin tifoz të flaktë.

Kush është Ismet Shurdhani?
Ismet Shurdhani ka lindur me 1 janar të vitit 1942 në Kaçanik. Karrierën e ka gjatë sportive e kishte nisur si portier te KF Lepencit, klubi i qytetit. Në moshën 17 vjeçare me leje të mjekut kishte mbrojtur për ekipin e parë. 12 vite ka qenë portier.
Ka mbrojtur edhe për reprezentacionin e Kosovës në turneun e republikave dhe krahinave në Svetozarevë të Serbisë.
Si gjyqtarë kishte filluar në moshën 29 vjeçare, pas përfundimit të karrierës si portier. Ka punuar në shtëpinë e mallrave në Kaçanik.
I kishte dy djem dhe dy vajza, për fat të keq njëri djal nuk i jeton më.
Ai sot është në pension, është edhe anëtar në Komisionin e gjyqtarëve në FFK.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu