Shtabi Emergjent Komunal për Luftimin dhe Parandalimin e COVID-19 dhe Komiteti për Mbrojtje dhe Shpëtim, sot e kanë mbajtur një takim të përbashkët ku është shqyrtuar situata aktuale me COVID-19 dhe EHKK në Komunën e Malishevës.
Fillimisht nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i njoftoi anëtarët e shtabit dhe komitetit, me gjendjen aktuale në Malishevë. Ai tha se aktualisht janë 5 raste aktive, 76 janë shëruar dhe 2 persona kanë vdekur, që nga fillimi i pandemisë me COVID-19. Po ashtu, nënkryetari Berisha, i njoftoi edhe me situatën me EHKK, ku pas gjashtë viteve, një person është infektuar dhe ka vdekur, si pasojë e infektimit me virusin e etheve hemorragjike krime kongo.
Pas diskutimeve të bëra, u konstatua se gjendja me COVID-19, është stabile në Komunën e Malishevës, por duhet të rritet edhe më shumë niveli i gatishmërisë nga ana e institucioneve dhe kujdesi nga ana e qytetarëve, ndërsa sa i përket situatës me EHKK, u tha se duhet të bëhet dezinsektimi kundër rriqrave, në 39 zonat endemike.
Përndryshe, në këtë mbledhje, të gjithë anëtarët e shtabit dhe të komitetit, kërkuan më shumë angazhim nga ana e inspektorëve komunal, për zbatimin e masave të kufizimeve, në veçanti në sektorin e gastronomisë, si dhe paraqitën nevojën e shtimit të numrit të inspektorëve, për zbatimin e të gjitha masave, me qëllim e vetëm, për mbrojtjen e shëndetit.
Në këtë takim u njoftua se edhe Qendra Operative Emergjente Lokale, është duke vazhduar punën e saj në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës, me qëllim të ofrimit të shërbimeve të nevojshme, lidhur me situatën me COVID-19, për të gjithë qytetarët.