Incidenti i ndodhur dje në takimin e Kategorisë së Dytë Gramshi-Ada 4:0, ku u godit arbitri Besmir Lesaj nga lojtari i Adës V.P. nuk ka përfunduar mirë për këtë të fundit.
Pasi u shoqërua dje në komisariatin e policisë së Gramshit, 29-vjeçari V.P. ështe arrestuar sot nga forcat e policisë. Sipas informacioneve, ai ofendoi dhe goditi me shpullë arbitrin Lesaj për shkak të penalltisë të akorduar në favor të gramshiotëve në pjesën e dytë.
Takimi përfundoi me rezultatin 4-0, ndërkohë që ngjarja e ndodhur do të ndiqet nga organet e rendit.
Njoftimi i policisë
Goditi për shak të detyrës arbitrin e ndeshjes, arrestohet në flagrancë futbollisti.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin V. P., 29 vjeç, lojtar i skuadrës së futbollit Ada, banues në Velipojë, Shkodër, pasi në stadiumin e qytetit të Gramshit, gjatë zhvillimit të ndeshjes ndërmjet ekipeve Gramshi-Ada, ka goditur dhe fyer arbitrin e ndeshjes, shtetasin B. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi nuk ishte dakort me ekzekutimin e një penalltie.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.