Sherri i plotë në gjyq, Zani Çaushi kërcënon juristin e burgut: Do të var te hekurat e qelisë

0
Gjigandi

Zbardhet debati i plotë në seancën gjyqësore mes Myrteza Çaushit ose siç njihet ndryshe si “Zani i Vlorës”, prokurores së çështjes Odeta Todoroshi dhe juristit të burgut Drenovë, Vasjel Hysenaj.

Pikërisht në seancën kur Myrteza Çaushi, ishte përgatitur për t’u njohur me kërkesën për lirimin me kusht ose jo nga gjykata, ai ka dalë jashtë kontrollit duke kërcënuar me jetë juristin e burgut, të cilit i ka pohuar se do e varte në hekurat e qelisë. Për më tepër Zani Çaushi i ka kërkuar gjyqtarit Selaudin Pysqyli që të arrestonte të gjithe personat që i kishin vjedhur ditët e burgut. Kjo pasi Myrteza Çaushi, pretendonte në seancën gjyqësore të 17 korrikut 2020 se juristi i burgut i kishte përllogaritur në mënyrë të gabuar vitet që qëndrimit në burg dhe kjo sipas tij ishte e pafalshme. Seanca u shoqërua me debate të ashpra edhe me prokuroren e çështjes, të cilën Myrteza Çaushi, e akuzoi se nuk po llogariste siç duhet vitet e burgut, pasi kishte kohë më tepër të jepte konferenca për shtyp në media për këtë çështje, sa të bentë punën e saj.

Është mundur të sigurojë të plotë proces-verbalin e seancës gjyqësore ku pasqyrohen diskutimet e palëve, seancë e cila surprizoi të gjithë, pasi Myrteza Çaushi, hoqi dorë nga kërkesa për lirim me kusht në fund të procesit, pikrëisht atëherë kur gjykata do të tërhiqej për vendim. Gjatë procesit gjyqësor Myrteza Çaushi dhe avokati i tij ish-gjyqtari Arben Lena, i paraqitën gjykatës një epikrizë mjekësore të hartuar nga mjekia Nikolina Bode, e cila përcaktonte diagnozën e Myrteza Çaushit, i cili sipas mjekes merr mjekim në mënyrë të vazhdueshme dhe që sipas mbrojtjes vërteton faktin se gjendja e tij shëndetësore është e vështirë. Gjithashtu avokati Lena, i tha trupit gjykues se nuk kishin paraqitur kontratë punësimi të Myrteza Çaushit në ndonjë subjekt privat, pasi Çaushi ka një lokal dhe do vetëpunësohet në këtë lokal, të cilin e ka në pronësi të tij.

LEXO EDHE:
Nesër gjyqi për Zani Caushin, prokuroria e Korçës kundër lirimit për të fortin e Vlorës
Procesverbali dhe diskutimet në seancë

RonaTyra

Gjyqtari: Seanca është shtyrë për ditën e sotme datë 17 korrik 2020 mbi kërkesën e përfaqësuesit Myrteza Çaushi, për të paraqitur kontratën e punësimit të kërkuarit.Gjykata i jep fjalën përfaqësuesit ligjor të Myrteza Çaushit, avokat Arben Lena.

Arben Lena: Sa i përket punësimit, kërkuesi ka një lokal që ka në pronësi të tij dhe mund të vetëpunësohet aty. Nuk mundëm dot të sillnim një kontratë punësimi, për shkak se familja e tij është në kushte të vështira ekonomike. Paraqesim për gjykatën një epikrizë nga mjekia Nikolina Bode, ku përcaktohet diagnoza e kërkuesit Myrteza Çaushi, i cili merr mjekim në mënyrë të vazhdueshme dhe vërteton faktin që gjandja e tij shëndetësore është e vështirë. Kërkoj të administrohet si provë kjo epikrizë, ndërsa në lidhje me kontratën e punësimit Myrteza Çaushi do vetëpunësohet në lokalin e tij.

Gjyqtari: I jepet fjala prokurores nëse ka ndonjë pretendim në lidhje me provën e paraqitur nga kërkuesi Myrteza Çaushi?

Prokurorja: Nuk kemi komente është e drejta e palës për të paraqitur prova në dobi të këtij gjykimi.

Gjykata: I jepet fjala përfaqësuesit të IEVP-së Korçë (Burgut Drenovë).

Juristi: Nuk kemi pretendime

Gjykata vendim: Bazuar në Kodin e Proçedurës Penale, gjykata merr në cilësinë e provës epikrizën e dantës 21 qmershor 2020 të lëshuar nga mjekia Nikolina Bode dhe administron në cilësinë e provës dhe raportin e Shërbimit të Provës të paraqitur në seancën e kaluar. Në kushtet kur palët nuk kanë prova të tjera, gjykata i jep fund shqyrtimit gjyqesor të kërkesës penale dhe fton palët për të parashtruar konkluzionet përfundimtare.

Arben Lena: Konkluzionet përfundimtare i kemi me shkrim dhe një kopje e ve në dispozicion të gjykatës.

Gjykatësi: Ndërhyn dhe ndërpret avokatin Lena. I plotëson kriteret kerkuesi Myrteza Çaushi që kërkoni lirimin me kusht?

Arben Lena: Pretendimi i ngritur nga IEVP-ja Drenovë që i dënuari nuk ka plotësuar afatin nuk qëndron. (Avokati vijon duke lexuar konkluzionet përfundimtare).

Gjykatësi: I jepet fjala kërkuesit Myrteza Çaushi

Myrteza Çaushi: Kam disa fakte për Prokuroinë. Doja ti dorëzoja këto akte por ju nuk ma dhatë të drejtën e fjalës.

Gjykatësi: Sqarojmë kërkuesin Myrteza Çaushi se ju kemi lënë kohë për provat. Gjykata i dha fund hetimit gjyqësor.

Myrteza Çaushi: Këtë gjyq e kam hapur unë dhe kërkoj që të merren këto prova që po ju paraqes, të cilat janë vendime gjyqësore.

Gjykata: Këto vendime janë në dosjen tuaj personale, janë të administruara nga gjykata tashmë.

Myrteza Çaushi: Kërkoj të hapet çështje penale sepse nuk më janë llogaritur saktë koha e dënimit të vuajtur. Unë kam vuajtur më shumë se 31 vjet dhe jo 25 vjet siç e kanë paraqitur tek dinamika IEVP-së Korçë.

Gjykatësi: Orientojmë kërkuesin Myrteza Çaushi për tu konsultuar me avoaktin e tij mbrojtës.

Myrteza Çaushi: Kërkoj të bëhet dinamika për çdo ditë të paraburgimit.

Gjykatësi: Nuk është kjo objekti i këtij gjykimit.

Myrteza Çaushi: Të arrestohen personat që më kanë vjedhur burgun, përfshirë këtë juristin këtu, që do e varr në hekurat e burgut.

Gjykatësi: I jepet fjala prokurores Odeta Todoroshi.

Prokurorja: (Merr fjalën dhe parashtron konkluzionet përfundimtare duke kërkuar rrëzimin e kërkesës së Myrteza Çaushit për Lirim me Kusht)

Myrteza Çaushi: Ndërpret prokuroren dhe deklaron se nuk i është llogaritur saktë koha e dënimit të vuajtur. Ti ke kohë të japësh konferenca për shtyp në media për çështjen dhe jo të llogarisësh saktë ditët e burgimit.

Gjykatësi: Sqarojmë përsëri kërkuesin Myrteza Çaushi të këshillohet me avokatin e tij

Arben Lena: Kërkoj ndërprerjen e seancës me qëllim për tu konsultuar me klientin tim.

Myrteza Çaushi: Deklaroj se terhiqem nga kërkesa për Lirim me Kusht

Gjykatësi: Pyet avokatin e Myrteza Çaushit

Arben Lera: Deklaroj se terhiqemi nga kerkesa për “Lirimin me kusht”.

Gjykatësi: Pyet prokuroren në lidhje me kërkesën e re të bërë nga kërkuesi Myrteza Çaushi?

Prokurorja: Në këto kushte mendojmë se heqja dorë është e drejtë ligjore e Myrteza Çaushit dhe gjykata të vendosë deklarimin e papranueshme të kërkesës.

Gjykatësi: I jepet fjala përfaqësuesit të IEVP Korçë.

Juristi i burgut: Është e drejta e kërkuesit për tu tërhequr nga kërkesa e tij. Gjykata të vendosë deklarimin e papranueshmërisë të kërkesës.

Gjykatësi tërhiqet në dhomën e këshillimit për të disponuar me vendim.

Gjykatësi vendosi: Të deklarojë të papranueshme kërkesën e kërkuesit Myrteza Shemedin Çaushaj me objekt “Lirim para kohe me kusht”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu