Administrata Trump ka ftuar ministrat e Jashtëm të Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit në Uashington për të diskutuar një projekt gjigant hidrocentralesh në Nilin Blu të Etiopisë, fokusi i një grindjeje të përshkallëzuar midis Addis Ababës dhe Kajros mbi burimet ujore.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Zërit të Amerikës, këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway tha se administrata Trump është “shumë aktive në të gjithë globin duke pasur takime të ndryshme” dhe “duke vepruar në një mënyrë shumë të pazakontë” pa dhënë hollësi të tjera mbi takimin, e planifikuar të mbahet në zyrën e Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin në 6 nëntor. ku do të diskutohet Diga e Rilindjes Etiopiane.
Ftesa, që është siguruar nga VOA, u dërgua nga sekretari Mnuchin më 21 tetor ndaj të tre vendeve dhe David Malpassit, presidentit të Bankës Botërore.
Një zëdhënës i Bankës Botërore tha në një deklaratë se zoti Malpass “ka në plan të marrë pjesë në takim, duke supozuar se të tre vendet (Etiopia, Egjipti dhe Sudani) janë plotësisht të përfshirë dhe gjithashtu do të jenë pjesëmarrëse”.
Egjipti, i cili ka kohë që ka kërkuar ndihmë nga jashtë për të ndërmjetësuar bisedimet, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim. Kajroja e konsideron këtë një çështje të sigurisë kombëtare. Pa një marrëveshje me Etiopinë, ndërtimi i digës masive në rrjedhën e sipërme të Nilit mund të kërcënonte burimin e ujit të ëmbël të Egjiptit.
Ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry tha të enjten se Kajroja po mirëpret takimin në Uashington. “Administrata amerikane ftoi të tre vendet të takoheshin në Shtetet e Bashkuara në 6 nëntor në prani të përfaqësuesve të administratës amerikane për të diskutuar për thyerjen e ngërçit në negociatat në vazhdim,” tha zoti Shoukry.
Etiopia gjithashtu konfirmoi se e pranoi ftesën.
Por Ministri egjiptian i Burimeve Ujore dhe Energjisë Elektrike Seleshi Bekele i tha Zërit të Amerikës se “çështja do të mund të zgjidhet vetëm në një nivel teknik”.
Të enjten, udhëheqësit e Egjiptit dhe Etiopisë ranë dakord për rifillimin e menjëhershëm të punës nga një komitet teknik duke u përpjekur të bien dakord për kushtet e funksionimit të digës, tha një zëdhënës i presidencës egjiptiane./VOA