Qyteti amerikan Chicago në Illinois ka raportuar numrin më të lartë të viktimave nga të shtënat gjatë fundjavës së Ditës së Babait pasi 104 persona u qëlluan me armë zjarri.
Chicago Sun-Times raportoi se në të shtënat e rastësishme nëpër qytet 14 persona u vranë, përfshirë pesë fëmijë. E përditshmja raportoi se viktimat e fundit ndodhën në orët e para të ditës së sotme.
Viktima më e re ishte një 3-vjeçar që ishte shënjestër e plumbave në makinën e babait të tij në lagjen Austin.
“Plumbat jo vetëm që copëtojnë gjërat që godasin. Plumbat po ashtu shkatërrojnë familje, shkatërrojnë lagje dhe çdo ndjenjë të sigurisë në një komunitet”, tha në një konferencë për media David Brown, inspektori i policisë në Chicago.
“Burrat e mirë në të gjithë këtë qytet duhet të festojnë me familjet e tyre në një ditë të bukur, por përkundrazi disa qytetarë do të kalojnë ditën e babait duke u pikëlluar për humbjen e fëmijëve të tyre”, shtoi Brown.
Kryetarja e Chicago-s, Lori Lightfoot, po ashtu shprehu trishtimin e saj për lajmet “e pafalshme” mbi vrasjen e një djali 3-vjeçar në pjesën perëndimore të qytetit.
“Thjesht nuk ka fjalë për të përshkruar një veprim kaq të egër dhe të paarsyeshëm për të qëlluar një foshnjë”, shkroi Lightfoot në twitter.
Chicago ka regjistruar fundjavën më vdekjeprurëse në fund të muajit maj kur 24 persona vdiqën nga gjithsej 85 të qëlluar.
Burimi: top-channel.tv