Drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Prade, e ka përshkruar përvojën e tij e të infektuar me virusin Covid-19, duke thënë se ai e solli koronavirusin në shtëpinë e tij dhe, si pasojë, prindërit e bashkëshortës së tij i kaluan 30 ditë në spital.
Fiorentina ka vendosur që të mos i emërojë më anëtarët e stafit apo lojtarët që infektohen me virusin Covid-19, mirëpo drejtori sportivi klubit ka zbuluar se ai ishte njëri ndër të infektuarit.
“Unë isha dëshmitar i dorës së parë në luftën kundër virusit. Në fakt, nëntë anëtarë të familjes sime u sëmurën dhe unë e solla virusin në shtëpi. E goditi bashkëshorten time, vajzën, nipin dhe prindërit e bashkëshortes”, ka thënë Prade në një intervistë të dhënë për Sky Sports.
“Më së keqi e pësuan prindërit e gruas, për të cilët me të vërtetë u frikësova shumë. Ata ishin në spital për 30 ditë, fatmirësisht ata ishin në Spallanzani, që është njëra ndër klinikat më të mirë në botë për këtë virus”.
“Ky virus është tinëzar, është një bast*rd. Ti s’mund as të ngrihesh nga shtrati, ke ethe, djersitesh, ke kollë të thatë, diarre. Bëhet me të vërtetë e frikshme kur i sheh edhe të afërmit e tjerë të tu duke u sëmurë. Madje, prindërit e gruas time i morën me ambulancë…”
“Fatmirësisht, ne të gjithë u shëruam dhe unë gjithmonë do të jem zëdhënës për masat parandaluese që duhet të ndërmerren për të mos e lejuar përhapjen edhe më të madhe të virusit”.
Sot u bë e ditur se Serie A do t’i fillojë seancat stërvitore në grup nga e hëna, me qëllim që ndeshjet t’i rinisë më 13 qershor.
“Kur i merr masat e duhura parandaluese, ti e di se mund të kthehesh me hapat e duhur. Unë jam i pari që thotë se ne duhet ta bëjmë futbollin mjet për stilin e ri të jetës sepse të gjithë duhet të mësohemi të jetojmë me rrezikun nga ky virus”.