Është dorëzuar protokolli i modifikuar, dhe tani pritet miratimi për datën e nisjes së kampionatit italian.
Shumë tryeza pune me një objektiv të vetëm, rifillimin e kampionatit italian. Çështje diskutimi vazhdon të mbetet Protokolli Shëndetësor, i cili duhet aprovuar dhe që do të garantonte rifillimin e Serisë A.
Megjithatë për pikat e këtij protokolli ka divergjenca të shumta nga ana e klubeve, ndërsa me kërkesë të këtyre të fundit janë bërë edhe disa ndryshime në formularin që do të dorëzohet në qeveri dhe Komitet Teknik.
Klubet përmes një video-konference janë mbledhur për të diskutuar disa çështje, siç është rasti i karantinimit nëse një futbollist do të infektohet me Covid-19.
Nga ana logjistike klubet kanë vështirësi për këtë pjesë, ndërkohë që është folur në lidhje edhe me përgjegjësitë penale për stafet mjekësore të skuadrave.
Tashmë dokumenti i hartuar nga kjo mbledhje i është dërguar presidentit të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina. Një seri propozimesh, të firmosura nga përgjegjësit sanitarë të 20 klubeve, që cilësohet si shumë i nevojshëm për rifillimin e kampionatit dhe që primare ka sigurinë shëndetësore të lojtarëve.
Ministri i Sporteve, Vicenzo Spadafora ka në dorë protokollin e shëndetësisë me ndryshimet e bëra. Ai u ka kërkuar vartësve të tij një analizë të shpejtë dhe të thelluar të risive të prezantuara në dokument, në mënyrë që të mund të dërgohet tek personat përgjegjës në Komitetin Shkencor Teknik prej nga ku do të thuhet edhe fjala e fundit.