Reja i zhgënjyer: Pjesa e dytë dhe ky moment ishin fatkeqësia jonë ndaj Islandës

0
9
Gjigandi

Liga e Kombeve ka nisur me një barazim në transfertë për kombëtaren shqiptare (1-1). Paraqitje me dy fytyra e kuqezinjve në Rekjavik. Një pjesë e parë e mirë, ndërsa e dyta për t’u harruar. Si të mos mjaftonte kjo, një gafë e mbrojtjes i dhuroi golin e barazimit kombëtares vendase.

Islanda e rinovuar tërësisht, me djem të rinj që luajnë në skuadra të dorës së dytë, i bëri surprizën e hidhur skuadrës së drejtuar nga Edy Reja. Si përherë ndëshkojmë vetveten, qoftë me kapadaillëk, qoftë me nënvlerësim të pafalshëm të kundërshtarit.

I mërzitur dhe jo pa kritika mbi kurriz u paraqit trajneri Edy Reja në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ku bëri analizën e tij për atë që ndodhi në sfidën e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, sigurisht duke menduar tashmë edhe për duelin e 10 qershorit në “Arena Kombëtare”, ndaj Izraelit.

Në pjesën e parë u duk se ishte një mbrëmje ku do të fitonim, por çfarë ndodhi në 45-minutëshin e dytë?

Në pjesën e parë bëmë një ndeshje të mirë, ia dolëm të kalojmë edhe në avantazh, por në fillim të pjesës së dytë dhuruam golin e barazimit dhe komplikuam gjithçka. U barazuam për 4 minuta dhe nuk bëmë asgjë nga ato që duhej të bënim. Më pas u mbyllëm, ndërkohë që mund të sulmonim më shumë. Më vjen keq, por në pjesën e dytë patëm një rënie dhe nuk ishte e lehtë të shkonim sërish te goli.

Mos do të ishte më mirë që në vend të Veselit, të aktivizonit Roshin në minutat e fundit?

Roshi nuk ishte mirë, pasi për shumë ditë nuk u stërvit me grupin. Kishte temperaturë dhe nuk ishte në gjendje për të luajtur, ndaj nuk mund të rrezikoja.

Në gjysmën e pjesës së dytë a mund të ndryshonim diçka, për të aktivizuar një lojtar si Bajrami, që ka më shumë fantazi?

Nuk është çështje skeme, por unë bëra dy zëvendësime në sulm, pasi të gjitha dyluftimet po i fitonin islandezët. Për pjesën tjetër, manovra ishte e organizuar shumë mirë, pasi ishim shumë herë pranë zonës dhe zbritëm shpesh me Hysajn. Megjithatë nuk bëmë dot një gjuajtje, ndonëse shkuam shumë shpesh në zonën kundërshtare. Më vjen keq, megjithatë duhet të shohim përpara, pasi kemi një ndeshje me Izraelin, ku do të kërkojmë të marrim fitoren, pasi kemi objektivat tona në këtë kompeticion.

Mos ndoshta gabimi në mbrojtje shkaktoi pasiguri në skuadër?

Fakti që pësuam gola për 4 minuta nga nisja e pjesës së dytë ishte fatkeqësia jonë. Duhej ta mbanim avantazhin të paktën për 15 minuta, që t’u shkaktonim tension dhe t’i detyronim të hapeshin. Janë gabime të pafalshme, që duhet t’i shmangim. Pas barazimit, ata dolën në lojën që donin të bënin, pasi janë shumë të fortë fizikisht dhe në kundërsulm bëhen të rrezikshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu