Periudha e ndërprerjes së kampionatit, është shfrytëzuar nga disa lojtarë të Manchester United. Ata kanë qenë të dëmtuar, por kanë lënë pas krahëve gjithçka dhe i janë bashkuar skuadrës në stërvitje.
Marcus Rashford është një prej tyre dhe 22-vjeçari analizon situatën. Ai beson se “Djajtë e Kuq” do të jenë edhe më të fortë se ishin. Skuadra e Solskjaer do të luftojë deri në fund për t’u renditur në katër vendet e para, por Rashford tenton të ulë presionin te shokët e skuadrës.
“Mendoj se do të dalim më të fortë nga kjo situatë, do të jemi në pozicion më të fortë se ai që ishim përpara shpërthimit të pandemisë. Duhet t’i marrim ndeshjet ashtu siç vijnë dhe nuk duhet të kemi shumë presion.
Po punojmë shumë në stërvitje dhe skuadra po konsolidohet. Disa lojtarë janë rikuperuar dhe po rikthehen nga dëmtimet që kishin pësuar“, deklaron sulmuesi i Manchester United.