Kryeministri Edi Rama pranoi sot se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në rajon, por theksoi se taksat në vend janë më të ulëtat.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke iu përgjigjur deputetes demokrate Jorida Tabaku, Rama u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku biznesi i vogël nuk paguan taksë dhe tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH) për xhiro deri në 100 milionë lekë [823,000 euro].
“Është e vërtetë që ne kemi një çmim karburanti më të lartë se të tjerët në rajon. Kjo është e vërtetë. Por, ndryshe nga të tjerët në rajon, ne kemi taksat më të ulëta, sepse ndryshe nga rajoni, ne biznesit të vogël nuk i marrim asnjë lekë”, ka thënë Rama.
“Zero taksë dhe zero TVSH deri në 100 milion lekë xhiro. Ndryshe nga rajoni, ne vërtet e kemi më të lartë se të tjerët taksën mbi biznesin e madh, por ne subvencionojmë 100 për qind energjinë elektrike”, tha Rama.
Bordi i Transparencës vendosi të mërkurën që çmimi i naftës të rritet me 10 lekë, duke arritur në 258 lekë [2.12 euro].
Ky është sërish niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë, duke kapur fillimin e marsit, kur nafta për pak ditë u tregtua me rreth 260 lekë [214 euro].
Ndërkohë, benzina tregtohet me pakicë me 243 lekë [2 euro], nga 244 lekë [2.01 euro] që ishte më parë. /abc24.al/