Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët për të informuar punonjës në sektorë të ndryshëm për paketën e rezistencës sociale, ndërhyrjet e qeverisë dhe efektet e krizës ndërkombëtare në ekonomi.
Ditën e djeshme Rama tha se taksa mbi naftën nuk do të hiqet. Sot, ai rikujtoi dhe njëherë se nuk do ulet nafta për at që duan të mbushin x5 dhe të bllokojnë rrugët. Ai “sulmoi” sërish protestuesit dhe i akuzoi se po e turpërojnë Shqipërinë në sytë e botës.
Rama: Ne nuk jemi këtu të ulim naftën për ata që duan të furnizojnë fuoristradat X5 për të bllokuar rrugët atje dhe për t’i mbajtur njerëzit në rrugë në këtë kohë lufte. Për turpin e dheut ndërkohë që e gjithë Evropa dhe e gjithë bota del në protesta për tu solidarizuar me ata të shkretët që i kanë bombat mbi kokë, me ata që vdesin atje, që i shkatërrohet çdo gjë, këtu janë disa që dalin me makina x5 dhe bëjnë protesta me drita i-Phonesh.
Nuk kanë pensionistët drita i-Phone dhe nuk kanë as vetura për të mbushur. Ata që kanë mundësi më shumë do paguajnë më shumë. Sot është koha për tu ndjerë mirë që ke mundësi të paguash më shumë. Nuk është koha për të vënë kujën dhe për ta bërë Shqipërinë turpin e botës. I vetmi vend i NATO-s, i vetmi vend i Evropës, i vetmi vend i botës që del dhe bën protesta për llogari të ca personazheve që duan të përfitojnë nga situata.