Pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, ekzekutivi pritet sonte të miratojë masa të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Ndërkohë që Qeveria do të kthejë kufizimin e lëvizjes, e po ashtu do të mbyllet gastronomia nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit, qytetarët po mirëpresin këto masa derisa shprehin shqetësimin se në të kundërtën numri i vdekjeve në ditë do të jetë “tejet i madh”.
Ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar të paktën 12 viktima nga Covid-19, rrugët e kryeqytetit sot janë parë të mbushura me qytetarë, të cilët vazhdojnë të shkelin masat e institucioneve shëndetësore për bartjen e domosdoshme të maskave dhe ruajtjen e distancës sociale.
Një mosrespektim i tillë i këtyre masave është vërejtur edhe në kafiteri.
Qytetari Hafiz Mehmeti, shprehet kritik ndaj masave të reja që priten të merren nga Qeveria.
Ai thotë se nuk është menaxhuar mirë pandemia nga Qeveria Hoti.
“Prej orës 21.00 deri në 05.00 në mëngjes, konsideroj që nuk ka kurrfarë rreziku, kështu ashtu ne nuk dalim, nuk janë kushedi çfarë masa këto. Prej orës 21.00 në mbrëmje nuk besoj që njerëzit dalin edhe pa masa… Kurrqysh kjo qeveri që ka ardhur, kanë thënë po e rrëzojnë për atë, po shumë më mirë e kanë menaxhuar. Tjetër ka qenë paraqitja e Arben Vitinë e Albin Kurtit, tjetër është paraqitja e Armend Zemajt e Avdullah Hotit”.
Bajram Osmani, nga Skenderaj shpreh shqetësimin se dita-ditës do të ketë numër më të madh të vdekjeve si pasojë e koronavirusit.
“Më mirë është për popull, më mirë është kështu se përndryshe katastrofë ka me qenë…. Ulet numri i rasteve bëhet diçka, sepse kështu edhe ndonjë ditë kanë me vdekur 100 në ditë… Ju e dini, qeveria e mëhershme ka pasur sukses shumë të madh, këta e lëshuan dhe numri po rritet dita-ditës. Kanë gabuar rëndë që e kanë lëshuar atë drejtim që e mbante qeveria e Albinit”.
E Bislim Jashari, nga Prishtina thotë se duhet të vazhdojë lëvizja e lirë gjatë ditës, dhe se kufijtë assesi nuk duhet të mbyllen.
“Masat duhet me i marrë për shkak të numrit të madh që kanë rritur deri tash… Prej 9-ve ndoshta jo, por prej 23.00 deri në 7 në mëngjes është mirë të kufizohet lëvizja… Kur shkojmë diku brenda patjetër, por rrugës jo”.
Dikush tjetër po zotohet se është tërë kohën i pajisur me maska dhe mjete tjera mbrojtëse.
“Unë pa ta nuk shkoj kurrë, qe, qe, unë pa të kjo më bëhet palarë e kam tjetrën”.
Kujtojmë që me 1 qershor janë lehtësuar të gjitha masat, pas vendosjes së tyre për mbrojtje nga koronavirusi.
Deri më tani janë konfirmuar 3 mijë e 356 raste me korona virus, 1 mijë e 874 janë shëruar, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar të paktën 12 viktima.
E qeveria Hoti ka paralajmëruar masa të reja të kufizimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 21.00 deri në ora 5.00 të mëngjesit në komunat që kanë shumë të prekur me Covid-19, si Prishtina, Prizreni, Ferizaj.