Pse kroatët po largohen nga vendlindja?

0
Gjigandi

Prej shumë vitesh, emigracioni dhe shpopullimi kanë qenë disa prej titujve kryesorë të gazetave më të rëndësishme në Kroaci, kryetituj që shpeshherë ngjanin alarmantë, si “eksodi” apo “katastrofa demografike”.

Në çdo rast, ka shumë qytetarë, përgjithësisht në moshë të re, të cilët mund të dëshmojnë se kanë lënë vendlindjen për Evropën e Veriut, “për të mbushur barkun me bukë”. Kjo shprehje thekson situatën e vështirë ekonomike në vend.

Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviq ka folur shpeshherë për çështjen demografike, duke e cilësuar atë një “pyetje jetike” dhe “një betejë për ekzistencë”. Për të përballuar situatën në fjalë, ajo ka caktuar një ekip ekspertësh që do ta vlerësojnë atë hap pas hapi.

Propozimet e paraqitura në vitin 2018 përfshijnë disa stimuj të përgjithshëm ekonomikë si: ulje taksash, reforma të administratës publike, lehtësi për lindjen e fëmijëve, si dhe stimuj për të realizuar ëndrrën e vjetër për kthimin e diasporës në atdhe. Kohët e fundit, në një vizitë në Virovitica-Podravska, Grabar Kitaroviq theksoi përsëri domosdoshmërinë për zgjidhje të çështjes demografike, veçanërisht në vendet e prekura direkt nga “agresioni më i madh serb”.

Por këto pretendime fshehin një të vërtetë edhe më tronditëse. Edhe pse Kroacia gjithmonë i ka përmendur me shumë krenari qytetet e Likës dhe Slavonias, të cilat ishin në vijën e parë të “luftës patriotike”, ajo çuditërisht i ka lejuar këto dy qytete të vdesin ekonomikisht. Në Lika, një rajon malor, tradita migrimi ka qenë e fortë që nga koha e Perandorisë Austro-Hungareze. Vukovar, nga ana tjetër, në qendër të Slavonisë pjellore, edhe pse dikur një prej destinacioneve kryesore të emigracionit gjatë Jugosllavisë socialiste, ka rënë në dy dekadat e fundit në një gjendje të vështirë ekonomike dhe mbi të gjitha sa vjen e po shpopullohet.

RonaTyra

Një analizë fillestare tregon se si emigracioni i punonjësve kroatë është i lidhur ngushtë me një kombinim të fenomeneve afatgjatë dhe atyre afatshkurtër. Në vitin 2013, Kroacia u bë pjesë e Bashkimit Evropian, në një kohë krize të thellë ekonomike, e cila shkaktoi rritjen e nivelit të papunësisë, veçanërisht gjatë viteve 2013 dhe 2014 kur ajo arriti në nivelin mbi 17 për qind. Për këtë arsye, hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian u bë nxitësi kryesor për rritjen e numrit të personave që emigruan në shtetet e këtij Blloku.

Shifrat e punonjësve kroatë që kanë emigruar janë rritur edhe më shumë që prej vitit 2015, kur ata filluan të gëzojnë liri të plotë të lëvizjes brenda pjesës më të madhe të vendeve të BE-së, përfshirë Gjermaninë. Në ditët e sotme, tre shtete të Evropës Lindore kryesojnë renditjen e vendeve të BE-së me përqindjen më të lartë të fuqisë punëtore të tyre që jetojnë jashtë vendeve të origjinës. Në vitin 2018, 21.3 për qind e popullsisë rumune në moshë pune jetonin jashtë vendit. Rumania ndiqet nga Kroacia me 15.4 për qind. Më pas vjen, Lituania me 14.5 për qind, Portugalia me 13.6 për qind dhe Bullgaria me 13.3 për qind. Këtu duhet të theksohet edhe fakti se emigrimi masiv në Kroaci ka filluar që në vitet 1990. Ende nuk ka një vlerësim të saktë për numrin e përgjithshëm të qytetarëve kroatë që kanë emigruar në vende të ndryshme.

Sipas Institutit kroat të Statistikave, pasi Kroacia u bë pjesë e Bashkimit Evropian, numri vjetor i emigrantëve u rrit nga 15,262 emigrantë në 2013 në 39,515 emigrantë në 2018, me pikun prej 47,532 emigrantësh në vitin 2017.

Sidoqoftë, statistikat nuk janë të sakta, sepse nuk arrijnë të përcaktojnë me saktësi numrin e emigrantëve, veçanërisht kur ata vazhdojnë të rezultojnë zyrtarisht të regjistruar si banorë të Kroacisë. Shpeshherë, kjo ndodh sepse kroatët që emigrojnë, dëshirojnë të vazhdojnë të mbajnë sigurimin shëndetësor në Kroaci dhe të përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, të cilat janë dukshëm më të lira sesa në vendet në të cilat ata priren të emigrojnë. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se numri i përgjithshëm i kroatëve të siguruar është rreth 200 mijë më shumë se numri i banorëve aktualë. Sipas një hetimi të kryer nga gazeta Jutarnji list, numri i shtetasve kroatë që banojnë në tre destinacionet e tyre kryesore të emigrimit, Gjermani, Irlandë dhe Austria, duhet të ishte shumë më i lartë: nga 9,007 në vitin 2012 në 16,895 në vitin 2013; 45,517 në vitin 2014; 61,626 në vitin 2015; 64,654 në vitin 2016 dhe 66,201 në vitin 2017.

Sipas një studimi tjetër, kroatët që jetojnë në shtete të huaja, mund të përfaqësojnë një tjetër 25 për qind. Për çudi, Gjermania kryeson listën me 56,265 emigrantë që hynë në territorin e saj në 2017, e ndjekur në distancë nga Austria dhe Irlanda. Por ndërsa Austria dhe Gjermania, prej kohësh shihen si destinacionet kryesore të emigrantëve, Irlanda është kthyer në një të tillë vetëm kohët e fundit, me numrin më të lartë të hyrjeve në vitin 2016. Studimi i kryer nga Ivana Drazhenoviq, Marina Kunovac dhe Dominik Pripuzhiq, i botuar në fund të vitin 2018, por që si studim i referohet viteve 2013-2016, vlerëson se gjatë kësaj periudhe kanë emigruar rreth 230 mijë kroatë.

Flukset e reja të emigracionit karakterizohen nga një moshë mesatare shumë më e re, nëse në dekadën e kaluar mosha mesatare ishte 41.5 vjeç, kjo shifër ra në 33.6 vjeç në 2016 dhe nga një rritje në masë e të miturve. Në lidhje me shifrat e mësipërme ka edhe një dallim të madh ndërmjet kroatëve me origjinë nga Kroacia dhe atyre të cilët, edhe pse posedojnë një pasaportë kroate janë me origjinë nga vende të tjera, veçanërisht nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në vitin 2018, nga 57,724 kroatët që mbërritën në Gjermani, 6,527 i përkisnin kategorisë së dytë. Numrin më të lartë të emigrantëve e kanë rajonet me nivel të lartë papunësie si rajoni lindor dhe ai qendror i Kroacisë, ku mund të përmendim Likën dhe Gorski Kotar.

Sidoqoftë, emigracioni ka prekur edhe Kroacinë veriperëndimore dhe mund të rritet me përshkallëzimin e krizës së ndërtimit të anijeve. Nga perspektiva e ditëve të sotme, mund të thuhet se emigracioni ka ulur në mënyrë të konsiderueshme nivelin e papunësisë: në vitin 2019, niveli i papunësisë ishte pak më shumë se 7 për qind, por rreth dyfish më pak se niveli i shënuar pesë vjet më parë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu