Politika e jashtme e Presidentit Trump ngjall kundërshti në Uashington

0
Gjigandi

Që nga marrëveshjet në prapaskenë me Ukrainën dhe deri tek tërheqja e forcave amerikane nga Siria, Presidenti amerikan Donald Trump ka ndjekur mendimin e tij për sa i përket politikës së jashtme. Por, vendimi për Sirinë ka ngjallur kundërshtime të mëdha në Uashington. Madje për Ukrainën, kritikët thonë se Presidenti Trump anashkaloi diplomatët e karrierës për të avancuar interesat e tij ndaj një rivali të mundshëm në zgjedhje.

Megjithë kritikat, Presidenti amerikan Donald Trump po i qëndron vendimit të tij për të hequr forcat amerikane nga kufiri siriano-turk, ku ata patën luftuar përkrah aleatëve kurdë.

“Qëndruan për gati 10 vjet. Le të luftojë dikush tjetër për këtë brez ranor të gjatë dhe të përgjakur”, tha Presidenti Trump.

Ndërkohë, zyrtari më i lartë amerikan për Sirinë u duk se u distancua nga vendimi i Presidentit.

“A ju konsultuan për tërheqjen e trupave siç u bë?”, pyeti Senatori demokrat Bob Menendez.

RonaTyra

“Mua personalisht jo”, u përgjigj James Jeffrey, Përfaqësuesi Special për Sirinë.

Po në Kapitol, diplomatë të tjerë dëshmuan për shtyrjen nga administrata Trump të ndihmës ushtarake të aprovuar për Ukrainën.

Një deklaratë me shkrim e njërit prej tyre përshkruan se si Shtëpia e Bardhë anashkaloi kanalet normale diplomatike për t’i bërë presion Ukrainës që të hetojë demokratët dhe ish nënpresidentin Biden në shkëmbim të ndihmës ushtarake.

Ligjvënësit demokratë e kanë denoncuar këtë.

“Ideja se asistenca ushtarake do të pezullohej për arsye të tilla politike, për t’i shërbyer fushatës së rizgjedhjes së presidentit, është një shkelje e rëndë e detyrës së presidentit për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”, tha Ligjvënësi demokrat Adam Schiff, Kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Veprimet e Presidentit Trump për Ukrainën mund të rrezikojnë presidencën e tij ndërsa vazhdon hetimi për shkarkimin e tij.

“Kemi agjensi të cilave u janë përcaktuar zonat brenda qeverisë ku kanë për detyrë të hetojnë. Nëse Presidenti Trump do të donte që të hetoheshin Biden-at për aktivitet e tyre atje, atëherë duhej të ishte bërë përmes kanaleve diplomatike”, thotë Shannon Bow O’Brien, e Universitetit të Teksasit në Austin.

Këto kanale diplomatike i kanë dalluar Shtetet e Bashkuara nga vendet ku politikat përcaktohen nga udhëheqës autokratikë, thotë eksperti Mike Newton.

“Është sistemi i kontrollit dhe balancës, ku agjensitë barazlargojnë njëra-tjetrën dhe ku hartues të mençur dhe me eksperiencë të politikave përballen me zgjidhjet dhe pasojat e dështimeve diplomatike, si dhe me praktikat më të mira ushtarake”, thotë Mike Newton, i Shkollës Juridike të Universitetit Vanderbilt.

Kur ky proces anashkalohet, ekspertët thonë se dëmtohet besueshmëria e Shteteve të Bashkuara.

“Kur ka dyshime për vendimet e Presidentit, dhe ka të tilla në Departamentin e Shtetit, në Pentagon, në komunitetin e zbulimit dhe në Kongres, ngrihen pikëpyetje reale për kohezionin e politikës së jashtme amerikane dhe nëse ne kemi një strategji të vërtetë”, thotë Mark Simakovsky, i Këshillit të Atlantikut.

Donald Trump u zgjodh bazuar në premtimet për t’u shkëputur nga politika e jashtme tradicionale amerikane, dhe mbështetësit e tij nuk po japin shenja se po i largohen.

Megjithatë, hetimet për shkarkimin dhe revoltimi për politikën e tij për Sirinë tregojnë se ekzistojnë limite në këtë përqasje të tij./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu