Partia Demokratike akuzoi të shtunën qeverinë se “po e përball pandeminë e COVID-19 me improvizime të dështuara”.
Përmes ish-deputetit Bardh Spahia, demokratët akuzuan Ministrinë e Shëndetësisë se për shkak të mangësive në marrjen e masave të duhura, rastet me të infektuar po shtohen dhe “qytetarët po rrezikojnë rimbylljen”.
“Në vend të propagandës dhe teatrit qeveria duhet të thotë se sa kapacitete spitalore ka për të trajtuar të prekurit me COVID-19 dhe çfarë është bërë për të përballuar rihapjen,” – kërkoi ish-deputeti Spahia, teksa akuzoi qeverinë për korrupsion, paaftësi dhe politika të dështuara ndaj pandemisë.
Ish-deputeti demokrat e konsideroi “rekord gines” keqmenaxhimin e pandemisë nga qeveria Rama. Këtë ai e argumentoi me numrin e ulët të testimeve dhe mungesën e financimeve nga buxheti i shtetit për shëndetësinë.
“Askush nuk e di sot sa para shpenzoi qeveria për të mbrojtur dhe kuruar qytetarët. Dimë vetëm pjesën e spektaklit të improvizuar,” – vazhdoi më tej Spahia i cili rreshtoi disa çështje të paqarta për sa i përket shëndetësisë.
Ish-deptueti i Shkodrës kujtoi se në fillim të pandemisë struktura e Kovaleshencës në Durrës u paraqit si “strukturë karantinë”. Për të njëjtin qëllim u prezantua projekti për përshtatjen e mjediseve të një ish-universiteti privat, ndërsa 3 javë më pare u prezantua përshtatja e mjediseve të ish-kirurgjisë në QSUT në të ashtuquajturin “Spitali COVID-3”.
Mirëpo Spahia pretendon se të gjitha këto projekte ngelën vetëm në letër dhe u përcollën thjesht për propagandë, pasi, sipas tij, nuk ka informacione se çfarë u bë me strukturat karantinë, ndërsa Spitali Covid-3 është “veç mure, pa personel”.
Opozita akuzon qeverinë për korrupsion dhe mungesë transparence edhe për sa i përket tenderit për blerjen e 54 respiratorëve, nga të cilët “erdhën vetëm 5 copë në muajin prill”.
Euronews Albania iu drejtua Kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për një koment rreth këtyre pretendimeve, por nuk mori përgjigje.
Prej fundit të muajit shkurt, autoritetet kanë kryer mbi 22,500 teste, prej të cilave kanë diagnostikuar 2,330 persona të infektuar. Nga këta, 1,346 janë shëruar, 931 mbeten ende bartës ndërsa 53 kanë vdekur.
Të dhënat e përpunuara nga Euronews Albania tregojnë se prej datës 7 qershor (20 ditët e fundit), vendi ka vuajtur një prirje në rritje të të prekurve me infeksion.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 1 mijë të infektuar dhe 19 viktima, një rritje prej 46 për qind e të infektuarve dhe 35 për qind e viktimave.
Përballë kësaj prirjeje shqetësuese, një javë më parë ministrja Manastirliu njoftoi se kishte vënë në gatishmëri mjediset e reja të ish-kirrugjisë në QSUT dhe se “nëse do të ishte e nevojshme, do të rizhvendosej shërbimi i Sanatoriumit, për të rikthyer Spitalin Shefqet Ndroqi në Spitalin Covid-2”.