Presidenti amerikan Donald Trump shtoi sulmet ndaj kompanive të mediave sociale, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv që sfidon mbrojtjen ligjore që ka shërbyer si baza për fjalën e lirë në internet. Ekspertët ligjorë thanë se ishte e paqartë nëse Komisioni Federal i Komunikimeve do të përqafonte pikëpamjen e Presidentit Trump. Edhe nëse ndodh kështu, rregulloret e agjencisë nuk do të kenë asnjë efekt detyrues juridik për gjyqtarët.
Përpjekja e Presidentit amerikan Donald Trump për të frenuar atë që ai thotë se është censurë e mediave sociale, është një gabim politik dhe nuk do të ndryshojë detyrimet ligjore të kompanive si Twitter Inc dhe Facebook Inc, thonë ekspertët ligjorë. Një urdhër ekzekutiv i nënshkruar nga Presidenti Trump të enjten udhëzon agjencitë federale të sqarojnë fushën e veprimit të një ligji të njohur si Seksioni 230, i cili mbron kompanitë e internetit nga përgjegjësia për përmbajtje të paligjshme të postuara nga përdoruesit dhe u lejon atyre të heqin postimet e ligjshme, por të kundërshtueshme.
“Me të vërtetë është një keqkuptim i plotë i Seksionit 230”, tha Kate Klonick, një asistent profesore në Universitetin e St. John’s, e cila tha se ka marrë një kopje të draftit. “… një ligj që është interpretuar kohë pas kohe shumë, shumë gjerësisht nga gjykata të shumta federale dhe thjesht thotë, unë po i zëvendësoj të gjitha këto me interpretimin tim që nuk kam të drejtë ta jap”. Profesorja Klonick, e cila jep mësim për legjislacionin e internetit, tha se masa e Presidentit Trump dukej se ishte një llogaritje politike më shumë sesa juridike.
“Në të vërtetë nuk do të ketë ndonjë fuqi në gjykatë”, tha ajo. Presidenti Trump, i cili përdor shumë Twitter-in, ka pretenduar prej kohësh se ky shërbim dhe platformat e tjera të mediave sociale heshtin pikëpamjet konservatore. Ai e nënshkroi urdhrin dy ditë pasi Twitter-i për herë të parë i nxiti lexuesit të kontrollonin faktet në mesazhet e dërguara nga Presidenti Trump, duke paralajmëruar se pretendimet e tij për fletëvotimet me postë ishin false dhe ishin hedhur poshtë.
“Ajo që ata vendosin ta kontrollojnë për faktet dhe ato që ata zgjedhin të injorojnë ose madje të promovojnë nuk janë asgjë më shumë se një grupim aktivizmi politik ose aktivizëm politik, dhe është e papërshtatshme”, tha Presidenti Trump. Urdhëri udhëzon Departamentin e Tregtisë të kërkojë nga Komisioni Federal i Komunikimit të sqarojë ligjin. Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup tregtar ku marrin pjesë Twitter, Facebook dhe Google, tha se urdhri ekzekutiv jo vetëm që do të dëmtonte fjalën e lirë, por mund të sulmojë konservatorët.
“Kjo ide e krijimit të fuqive krejt të reja qeveritare që mund të rregullojnë mënyrën se si platformat private të mediave sociale moderojnë fjalën është me të vërtetë mënyra për ta shkatërruar atë”, tha ai. “Sepse nën një administratë të ardhshme ato fuqi mund të ushtroheshin në një mënyrë që shtypin shumë konservatorët që Trump po përfaqëson sot”. Presidenti Trump tha se nuk do të kishte asgjë më të mirë, se të shpëtonte nga llogaria e tij në Twitter, por se ai duhej ta mbante atë në mënyrë që të anashkalojë shtypin dhe të japë versionin e tij të ngjarjeve për miliona ndjekës./VOA