Vetëm pak ditë më parë kryeministri Rama bëri një kthesë surprizë sa i përket ndryshimeve në kodin zgjedhor.
Ai u shpreh pro hapjes së listave por kundër koalicioneve parazgjedhore, një deklaratë e cila duket se ka ngjallur një reagim të ashpër nga opozita jashtëparlamentare por edhe nga faktori ndërkombëtar.
Këta të fundit insistojnë dhe i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që t’i përmbahen marrëveshjes së 5 qershorit pa bërë asnjë ndryshim më tepër.
Për analistin Roland Lami, injorimi që kryeministri po i bën opozitës jashtë Parlamentit do të çojë në një kod të ri zgjedhor të njëanshëm e cila nuk do t’i shërbente askujt.
I ftuar në RTV Ora, Lami thotë se për opozitën jashtëparlamentare, këto janë pasoja të bojkotimit të Parlamentit.
Lami: Nuk mund të ndërtosh një ndryshim sistemi zgjedhor nëse ti nuk ke palën kundërshtare të përfshirë dhe të dakordësuar. Çdo anashkalim që i bëhet palës kundërshtare është një reformë e njëanshme dhe nëse vijon në këtë linjë, nuk përbën asnjë ndryshim me një regjim totalitar. Më duket kërcënuese për demokracinë nëse lejohet dhe nuk ka një rakordim zërash për këtë nismë që po merr qeveria. Opozita do të vuajë një gabim që bëri për një agjendë të saj pasi mendoi se mund t’i dalë mirë politikisht braktisja e Parlamentit. Sot e kuptojmë që aty miratohen reforma që prekin një pjesë të madhe të shoqërisë. Kemi faktorin ndërkombëtar që njeh rolin që ka opozita jashtëparlamentare në lidhje me reformën zgjedhore. Inicioi takimin duke i dhënë rojen opozitës jashtë Parlamentit. U finalizua një dakordësi nga opozita jashtëparlamentare dhe e një pjese brenda saj.
Nëse ti e çbën këtë marrëveshje, injoron opozitën jashtëparlamentare, dhe një pjesë të asaj brenda parlamentit dhe zgjedh që të ndërtosh një marrëveshje të re në kundërshtim me atë që kanë propozuar ndërkombëtarët dhe vjen një grup deputetësh që nuk dinë nga janë dhe nga vijnë, kjo vetëm reformë nuk mund të jetë. Nëse do të dalim jashtë kësaj axhende, kë do të përfaqësojë ajo? Përfaqëson interesin e një grupi njerëzish që janë aty në Parlament të vetëquajtur opozitarë por që në kuptimin politik nuk e dinë se kë kanë prapa. Kanë qenë aty thjesht për të plotësuar numrin e listave. Kemi një marrëveshje e njëanshme që bëhet vetëm me një qëllim, kërkon të kufizojë koalicionet parazgjedhore të cilat janë pjesë e ligjit zgjedhor.
I pyetur nëse opozita jashtëparlamentare mund të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme, Lami përgjigjet se kjo nuk është e pamundur pasi Shqipëria është vendi i çudirave.
Lami: Bojkotimi i opozitës jashtëparlamentare të zgjedhjeve të ardhshme? Edhe mund të ndodhë se Shqipëria është vendi i çudirave. Nuk e përjashtoj mundësinë që faktori ndërkombëtar për shkak të lobeve dhe të një lloj neglizhence që mund të kenë ndaj si ndodhin zhvillimet në Shqipëri, edhe mund të nodhë por në kuptimin e cilësisë së demokracisë dhe rregullave që duhet të përcaktojnë garën elektorale, mua më duket një gjë e papranueshme dhe e paprecedentë. Por jemi vend që i kemi prodhuar dhe nuk e përjashtoj që të shkojmë në këtë skenar dhe faktori ndërkombëtar ta legjitimojë. Por më duket çudi pasi janë ndërkombëtarët që kanë njohur opozitën jashtëparlamentare për të qenë pjesë e reformës zgjedhore.