Vetëm nëse Lautaro insiston, atëherë Interi do të heqë dorë nga sulmuesi argjentinas.
Menaxheri i përgjithshëm i zikaltërve, Beppe Marotta, ka insistuar se Interi nuk e ka ndërmend t’i shesë lojtarët më të mirë, pasi objektivi është ndërtimi i skuadrës dhe kthimi në majën e futbollit evropian, më së shumti në Itali, ku nuk fiton prej 10 vitesh.
Sido që të jetë, Lautaro Martinez ka mundësi të largohet pas insistimit të Barcelonës.
Interi e ka të qartë, e do në skuadër sulmuesin edhe për shumë vite, por do të hiqnin dorë prej tij nëse veç lojtari kërkon transferimin në Barcelonë.
“Përtej datave dhe klauzolave, gjëja më e qartë është se Interi nuk dëshiron të shesë kampionët e tij dhe të rinjtë premtues. Në rast se ekziston vullneti i Lautaro Martinez për t’u larguar, ne do ta vlerësojmë situatën së bashku. Deri më tani kjo kërkesë nuk ka mbërritur në klubin tonë. Unë besoj se, duke pasur parasysh moshën e tij të re, mund të jetë në dobi të karrierës së Lautaro të qëndrojë tek Interi dhe më pas të vlerësojë zhvillimet në të ardhmen. Interi për të është një burim krenarie e madhe”, u shpreh Marotta.
Lautaro humbi një penallti kundër Bolognas, cka i kushtoi me humbje Interit pasi nga mundësia për të shkuar në 2-0, mysafirët përmbysën gjithçka dhe fituan në San Siro 1-2.
Pas ndeshjes, Conte kritikoi gjithë futbollistët për qëndrimin, derisa nuk la pa fajësuar edhe Lautaron, duke thënë “ka mundur të bëjë më mirë”.