Disa turistë të huaj, udhërrëfyesi i tyre dhe një polic janë therur me thikë në qytetin jordanez të Jerashit, i cili është një destinacion i popullarizuar turistik.
Policia ka konfirmuar se të paktën tre prej tyre ishin qytetarë të Meksikës. Sidoqoftë, mediet spanjolle raportuan fillimisht se viktimat e sulmit ishin disa gra nga Spanja. Kjo gjë u mohua më vonë nga Ministria e Jashtme e Spanjës.
Në një video që besohet se është incizuar në vendin e sulmit shihet një grua duke bërtitur në gjuhën spanjolle: “Dikush e ka therur. Ata kanë thikë. Ju lutem ndihmojeni këtë këtu, ju lutem!”
Mediet lokale raportuan se dy persona ndodhen në gjendje kritike, por agjencia “Reuters” tha se personat e lënduar janë dërguar në spital me lëndime të lehta.
Qyteti Jerash është i njohur për disa ndërtesa të ruajtura nga Periudha Romake dhe tërheq shumë vizitorë, të cilët janë burim i rëndësishëm i të ardhurave për ekonominë jordaneze, shkruan “The Guardian”.