Ndërsa kandidonte për president në vitin 2016, Donald Trump zbuloi një mënyrë të sigurtë për të ndryshuar disponimin e pjesëmarrësve në tubimet e tij elektorale.
Kur ndjente se po binte niveli i pjesëmarrjes, ai i drejtohej bordit editorial të gazetës “The New York Times”: “Unë vetëm u them ‘Do ta ndërtojmë murin’, dhe ata çmenden”.
Me dëgjesat hetimore që po zhvillohen këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve, çështja e murit kufitar mund të rishfaqet për të shpërqëndruar vëmendjen e mbështetësve të tij të vendosur. Ligjvënësit kanë rënë dakort në parim të miratojnë një projektligj që do të shmangte mbylljen e pjesshme ditën e enjte të qeverisë federale. Projektligji do t’u jepte 30 ditë kohë negociatorëve të Kongresit dhe të administratës për të rënë dakort për shpenzimet e pjesës së mbetur nga viti fiskal.
Një çështje e vështirë do të jetë financimi i murit kufitar që dëshiron Presidenti.
Vitin e kaluar, kur demokratët refuzuan të ofrojnë 5 miliardë dollarë nga buxheti për financimin e murit kufitar, rezultati ishte një mbyllje 35-ditore e qeverisë federale.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u shpreh të dielën gjatë emisionit televiziv “Face the Nation” se është optimiste për arritjen e një marrëveshjeje që do të shamngte mbylljen e qeverisë. Pyetja që lind natyrshëm është a do të thotë kjo se demokratët do të ofrojnë financim për murin kufitar.
Zonja Pelosi u përgjigj me një “Jo” të prerë. Ajo madje shtoi se nuk beson që presidenti është plotësisht i përkushtuar ndaj kësaj çështjeje.
“Presidenti nuk ka ndërtuar ndonjë mur të ri gjatë gjithë periudhës së tij në detyrë. Mendoj se komentet e tij për murin janë realisht një batutë për duartrokitje gjatë tubimeve, por nuk përfaqëson diçka që ai dëshiron seriozisht”, tha ajo.
Komentet e zonjës Pelosi vunë në dukje një problem thelbësor për sa i përket murit kufitar: konfuzionin e gjithanshëm për statusin aktual të murit.
Presidenti Trump thotë se ndërtimi i murit po vazhdon. Në mesazhet e tij në Twitter dhe në fjalimet e tij publike, Presidenti Trump rregullisht përmend “progresin e madh” që po bëhen për ndërtimin e kësaj barriere në kufi. Në shtator, një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes bëri një deklaratë për shtyp ku lë të kuptohet se po ndërtohen seksione të reja të murit, me ritmin e një miljeje në ditë (rreth 1.6 kilometra).
Megjithatë, realiteti është paksa ndryshe.
Të premten, Komisioneri në detyrë i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare, Mark Morgan, u tha gazetarëve se janë ndërtuar tashmë 78 milje (125 kilometra) të murit të ri. Megjithatë, kur u pyet më tej, ai pranoi se bëhet fjalë realisht për 78 milje mur zëvendësues për “një formë barriere ekzistuese”.
Ai shtoi megjithatë se puna ka filluar në terrene të reja përgjatë Luginës Rio Grande, ku nuk ka patur barriera më parë.
Sipas analistëve, do të duhen ndoshta vite përpara se qeveria të jetë në gjendje të ndërtojë në shumë prej seksioneve të propozuara të murit. Kjo për shkak se qeveria federale nuk e ka këtë tokë në pronësi. Qindra individë privatë janë pronarë të tokës përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Që të ndërtojë aty, administratës Trump do t’i duhet t’i bindë pronarët që ta shesin tokën, ose qeverisë federale do t’i duhet të ushtrojë autoritetin e saj (Eminent Domain) për të shtetëzuar tokën pa miratimin e pronarëve.
Shumë prej pronarëve të tokës janë shprehur se nuk janë të gatshëm ta shesin, qoftë për kundërshtitë që kanë ndaj murit, apo për arsye të tjera. Administrata Trump ka thënë se ndoshta që këtë javë mund të fillojë procedurat gjyqësore të nevojshme për marrjen e tokës nga pronarët që nuk dëshirojnë ta shesin.
Sipas kanalit NBC News, qeveria po shqyrton shfrytëzimin e një procesi të përshpejtuar që ndoshta do të shmangte betejat e zgjatura ligjore për shtetëzimin e tokave. Suksesi i qeverisë do të varet nga fakti nëse ajo do të jetë në gjendje të bindë gjykatat se ekziston një situatë emergjence që justifikon marrjen e tokës nga pronari, pa i dhënë shansin e apelimit në gjykata.