Në Buksel u zhvillua një darkë pune e liderëve nga Ballkani Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ky ishte takimi i fundit në këtë format për Mogherinin, pasi mandati i saj si kreu i diplomacisë evropiane përfundon më 1 dhjetor. Gjatë takimit u shpreh keqardhje për vendimin e Këshillit Evropian, për të mos hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Palët ranë dakord që integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE mbetet një objektiv kryesor strategjik, në interes të përbashkët të BE-së dhe rajonit. Zyrtarët e lartë të BE-së dhe liderët e Ballkanit gjithashtu adresuan sfidat e përbashkëta që gjenden përpara. Krerët e shteteve nga Ballkani Perëndimor, gjatë takimit riafirmuan angazhimin e tyre për perspektivën evropiane, reformat, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Më herët, para se të fillojë darka e punës, zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq tha se “ky është takimi i fundit në kuadër të një serie takimesh të tilla, që janë mbajtur gjatë pesë viteve të fundit”. “Pritet që Përfaqësusja e Lartë, së bashku me partnerët nga Ballkani Perëndimor, të shkëmbejnë mendime mbi zhvillimet në rajon, të diskutojnë sfidat në të ardhmen dhe të vlerësojnë atë që është bërë dhe çfarë është arritur në pesë vitet e fundit”, ka thënë Kocijançiç. Ky është takimi i parë midis Mogherinit dhe udhëheqësve të Ballkanit, prejse Këshilli Evropian dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit. Po ashtu, presidentët e Kosovës dhe të Serbisë u takuan për herë të parë që nga viti i kaluar, kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre janë ndërprerë, për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor, 2018. Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Në takim mungoi vetëm kryeministri shqiptar, Edi Rama, pasi ndodhej për vizitë zyrtare në Greqi. Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!