Drejtuesit botërorë të shëndetit po hetojnë nëse humbja e shijes dhe aromës mund të jetë një simptomë e hershme e koronavirusit, mes raporteve të përhapura të shqisave të dëmtuara te pacientët, sipas një raportimi që bën “The Guardian”.
Maria Van Kerkhove, drejtuese e ekipit të sëmundjeve në zhvillim të Organizatës Botërore të Shëndetit, tha se disa vende po hetonin raportet për të vërtetuar nëse korrelacioni ishte i rëndësishëm.
“Ne kemi parë mjaft raporte tani për njerëzit që janë në fazat e tyre të hershme të sëmundjes, se mund të humbasin sensin e tyre të nuhatjes, mund të humbasin ndjenjën e shijes, por kjo është diçka që duhet të kërkojmë, për ta kapur me të vërtetë nëse është një nga shenjat e Covid-19. Kemi një numër vendesh që po kryejnë hetime të hershme ku po marrin informacione të standardizuara nga rastet dhe kontaktet ku ata po shikojnë shenja dhe simptoma.”
ENT UK, një organ që përfaqëson mjekët e veshëve, hundës dhe fytit, tha në një deklaratë se kishte prova nga Koreja e Jugut, Kina dhe Italia që një numër i konsiderueshëm pacientësh kishin zhvilluar ‘anosminë’.
Deklarata, lëshuar bashkërisht nga rinologët e lartë Claire Hopkins dhe Nirmal Kumar, thotë se “Në Gjermani raportohet se më shumë se 2 në 3 raste të konfirmuara kanë anosminë. Në Korenë e Jugut, ku testimi ka qenë më i përhapur, 30% e pacientëve që testohen pozitivë kanë pasur anosminë si simptomën e tyre kryesore paraqitëse në raste të buta.