Detaje të tjera kanë nga ngjarja tragjike në Kombinat, ku humbën jetën Zhaneta dhe Anisa Josifi dhe u gjet në gjendje të rëndë vajza tjetër, Blerta. “Abc News” raporton se kohët e fundit familjen Josifi e kanë vizituar dy persona, burrë e grua. Hetuesit dyshojnë se burri dhe gruaja janë pjesë e sekteve fetare që frekuentonte familja Josifi.
Po kështu, duke iu referuar hetimeve ka dyshime të forta që vajzat të kenë pasur kontakte me një grua të një tjetër sekti fetar pas shkëputjes nga “Dëshmitarët e Jehovait” dhe nga “Kisha Ungjillore”.
Sakaq në banesë hetuesit kanë gjetur edhe një fotografi ku e ndjera Anisa Josifi shfaqet në shoqërinë e gjashtë personave, ende të paidentifikuar, por që dyshohen si të huaj dhe të përfshirë në sekte fetare.
Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e 2 korrikut dhe tronditi opinionin publik. Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave “bashkëjetuan” për disa kohë me me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56-vjeçe dhe Anisa Josifi 30-vjeçe, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34-vjeçe.
Kjo e fundit bashkë me nënën e saj kishin mbajtur në banesë trupin e pajetë të Anisës, të cilin e lyenin me vaj e uthull që të mos binte erë. Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ku u mësua se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”. Blerta që prej 2 korrikut, ndodhet e shtruar në spitalin Psikiatrik të Tiranës.