Qeveria meksikane ka dërguar trupa shtesë për të monitoruar situatë në Culiacan, kryeqytetin e shtetit Sinaloa, dhe për të siguruar paqen dhe qetësinë pas përplasjes midis ushtrisë dhe anëtarëve të kartelit të drogës, e cila la të paktën tetë të vdekur, raporton AA.
“230 elemente të Forcave Speciale të Ushtrisë Meksikane arritën në Culiacan për të mbrojtur qytetarët”, konfirmoi Zyra e Sigurisë Publike në Sinaloa.
Zyrtarët kanë reaguar pas incidentit të së enjtes kur forcat e rendit kapën dhe më pas liruan djalin e kreut famëkeq të kartelit të drogës Joaquin Guzman, i njohur si “El Chapo”. I biri i tij Ovidio Guzman Lopez u la i lirë pasi kryeqyteti, kështjellë e kartelit të Sinaloas, u shndërrua në një zonë lufte.
Anëtarët e armatosur të kartelit të Sinaloas filluan të shtënat në disa vende në gjithë qytetin me qëllim që të krijonin kaos dhe panik. Ata dogjën makina në disa hyrje në qytet.
Në videot që qarkullonin në mediat sociale, mund të dëgjoheshin të shtënat që gjëmonin nëpër rrugë, ndërsa civilët vraponin për të shpëtuar. Në këtë kaos, rreth 50 të burgosur u arratisën nga një burg lokal.
Qeveria federale tha që personat e armatosur gjithashtu rrëmbyen disa pjestarë të ushtrisë në mënyrë që të negocionin për lirimin e Ovidio Guzman Lopez, duke shtuar se ata ishin në numër më të madh gjatë operacionit. Për të ndaluar luftimet, ushtria e liroi djalin e El Chapos në një precedent që nuk ishte parë kurrë më parë në vend.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, i cili njihet për moton e tij për të mos luftuar dhunën me dhunë, tha se qeveria e tij kishte vepruar mirë me lirimin e djalit të kreut të kartelit të drogës, kundër të cilit SHBA kishte ngritur padi për trafik droge. Lopez Obrador tha se siguria e qytetarëve të Culiacan tejkalon nevojën për arrestimin e tij.
“Nuk mund të luftoni zjarrin me zjarr. Ne nuk duam viktima. Ne nuk duam luftë”, tha Lopez Obrador në një konferencë për shtyp.
Dëshirat për kapitullimin e kartelit ka qenë jashtëzakonisht kontroverse në Meksikë. Disa shqetësohen se kjo do të inicojë një model dhune në të ardhmen, ndërsa disa të tjerë e kanë duartrokitur veprimin duke thënë se shumë jetë jenë shpëtuar.
“Një nga qëllimet kryesore të kësaj administrate është të sjellë paqe në këtë vend, por ajo nuk duhet të jetë në rrezik të baballarëve, nënave dhe fëmijëve. Gjëja më e rëndësishme është jeta e njerëzve”, ka theksuar ministrja e Brendshme e Meksikës, Olga Sanchez Cordero.
Ende nuk dihet se për sa kohë do të vazhdojnë patrullimet shtesë të ushtrisë në Sinaloa.