Spitali Rajonal i Elbasanit është kthyer në një vatër të re të covid 19 pasi 4 infermiere në repartin e gjinekologjisë në këtë spital kanë rezultuar pozitive.
Gjithçka nisi kur një paciente mori shërbim në këtë pavion dhe më pas rezultoi pozitive çka bëri që të testohej personeli shëndetësor, 4 prej të cilëve tashmë rezultojnë të prekur dhe janë izoluar ndërkohë që në masat e para të marra është mbyllur reparti i aborteve në pavionin e Gjinekologjisë.
Ndërkohë që testimet vazhdojnë këtu të dyshuar vazhdojnë të jenë edhe personel tjetër shëndetësor që kanë shfaqur shenja.
Nga testimet e 24 orëve të fundit pozitiv ka rezultuar një punonjës policie duke bërë që një tjetër vatër të shfaqet ne institucione, aty ku risku i përhapjes është më i madh. Edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit kanë nisur testimet.
Në call center, aty ku një ditë më parë u identifikua një rast pozitiv me covid 19, deri tani nuk ka raste të tjera, të shpresojmë që ecuria të jetë e njëjtë.
Në valën e dytë të përhapjes së covid 19 në Shqipëri, vend që u bë vatra më e madhe e përhapjes së covid ishte QSUT. Tashmë e njëjta situatë po ndodh edhe në rrethe. Le të shpresojmë që spitali rajonal i Elbasanit të mos kthehet në një vatër të re të përhapjes së virusit, në këto vende ku njerëzit janë të detyruar të paraqiten për të marrë shërbim.