Në Kosovë gjatë vitit kaluar janë kurorëzuar 17 577 qifte-bashkëshortore.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë 2019” në të cilën thuhet se të kurorëzuar sipas përkatësisë etnike: shqiptare janë 95.5% femra dhe 96.7% meshkuj; serbe janë 0.5% femra dhe 0.5% meshkuj; turke 0.4% femra dhe 0.5% meshkuj; boshnjake janë 1.0% femra dhe 0.4% meshkuj; rome, ashkalike dhe egjiptiane janë 1.1% femra dhe 1.1% meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë 1.5% femra dhe 0.4% meshkuj.
Mosha mesatare e të martuarve ishte 29.5 vjeçare. Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 31 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeçe.
Sipas grup-moshave, dominojnë kurorëzimet te femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 750 kurorëzime, ose 32.7%. Ndërsa, te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 663, ose 32.2%.
Numri më i madh i kurorëzimeve ishin në komunën e Prizrenit (1 646 kurorëzime), ose 8.8%; në komunën e Prishtinës (1 364 kurorëzime), ose 7.3%; në komunën e Ferizajt (1 123 kurorëzime), ose 6.0%, etj.
Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme, ku numri i femrave të kësaj kategorie ishte 10 757, ose 61.2% dhe numri i meshkujve ishte 11 983, ose 68.2%.
Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e gjendjes civile të Kosovës. Në vitin 2019 janë grumbulluar gjithsej 18 757 fleta statistikore për kurorëzime, DEM-3.