Ligjvënësit amerikanë dënojnë ndërhyrjen e Turqisë në Siri

0
Gjigandi

Turqia kundërshtoi të mërkurën projekt-ligjin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, që bën thirrje për sanksione ndaj zyrtarëve turq të lidhur me operacionet ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë, si dhe rezolutën që e cilëson si gjenocid vrasjen e 1.5 milionë armenëve nga forcat osmane turke mes viteve 1915 – 1923.

Pasi miratimit të projekt-ligjit nga Dhoma e Përfaqësuesve me mbështetjen e të dyja partive, ministria e jashtme turke tha se thirri ambasadorin amerikan në Ankara, David Satterfield në shenjë proteste.

Projekt-ligji i sponsorizuar nga Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtme, demokrati Eliot Engel nga Nju Jorku dhe ligjvënësi republikan Michael McCaul nga Teksasi kërkon ndëshkimin e zyrtarëve të lartë turq të përfshirë në vendimin për ofensivën në veri të Sirisë dhe në shkeljen e të drejtave të njeriut të kurdëve.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi projektligjin me 403 vota pro dhe 16 kundër.

Një deklaratë e ministrisë së jashtme turke e quajti këtë veprim “të papajtueshëm me frymën e aleancës sonë të NATO-s” dhe tha se ligjvënësit “po tregoheshin të papërgjegjshëm duke legjitimuar një grup terrorist me retorikën dhe veprimet e tyre”. Turqia i konsideron kurdët sirianë si aleatë të separatistëve kurdë, që kanë luftuar për autonomi brenda Turqisë për tre dekada.

RonaTyra

Presidenti Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin ndërmjetësuar një armëpushim “të përhershëm” të Turqisë në Siri javën e kaluar, duke hequr sanksionet e vendosura kundër Ankarasë përmes një urdhëri ekzekutiv. Por ligjvënësit amerikanë kanë

shprehur shqetësim të vazhdueshëm në lidhje me ndikimin afatgjatë të vendimit të papritur të presidentit Trump për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, duke i hapur rrugën hyrjes të forcave turke në zonë dhe duke rrezikuar aleatët kurdë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik.

Presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria veriore pas një bisede telefonike me Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili po përgatitej për një ndërhyrje ushtarake në Siri për të krijuar një zonë sigurie në kufirin mes dy vendeve duke larguar trupat dhe civilët kurdë.

“Presidenti Trump e la Erdoganin plotësisht të lire për të kryer këtë sulm të shëmtuar në Siri, që po destabilizon rajonin dhe po kërcënon sigurinë ndërkombëtare,” tha ligjvenësi Engel të martën. “Presidenti Trump dhe Presidenti Erdogan janë përgjegjës për katastrofën në veri-lindje të Sirisë – ata të dy duhet të përgjigjen”, shtoi ai.

Zoti Engel e cilësoi projekt-ligjin si një përpjekje për të siguruar që Erdogani do të përballet me pasoja për veprimet e tij në Siri. Por anëtari republikan në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve theksoi mbështetjen dypartiake për ligjin, duke thënë se ai ishte një mjet për negociatat e Shteteve të Bashkuara me Turqinë.

Zoti McCaul vlerësoi “negociatat delikate” të Nënpresidentit Mike Pence dhe Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo me aktorët në rajon dhe tha se legjislacioni i jep Shtëpisë së Bardhë më shumë pushtet në negociatat me Turqinë.

“Ky projektligj e nxit Turqinë që të respektojë armëpushimin. Nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, do të ketë pasoja në formën e sanksioneve të rrepta”, tha zoti McCaul të martën.

Projekt-ligji, i njohur si, “Akti për Mbrojtje nga Konflikti me Turqinë”, ndalon shitjen e armëve Turqisë për përdorim në Siri, ndëshkon institucionet financiare turke të përfshira në sektorin ushtarak dhe kërkon që Shtetet e Bashkuara të raportojnë për pasuritë dhe financat e zotit Erdogan.

Zoti Engel vuri në dukje gjithashtu se legjislacioni kërkon që administrata Trump të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për të luftuar një rigjallërim të ISIS-it në rajon dhe mbrojtjen e partnerëve kurdë.

Në fillim të këtij muaji, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë që dënon vendimin e administratës Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria me një votim prej 354-60. Projekt-ligji për sanksione, që u miratua të martën, duhet të miratohet edhe nga Senati me shumicë republikane dhe të nënshkruhet nga presidenti, përpara se të hyjë në fuqi.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve e shoqëruan projekt-ligjin e sanksioneve me një rezolutë, që ka qënë prej kohësh një pikë e nxehtë në marrëdhëniet SHBA-Turqi. Rezoluta që pohon njohjen nga Shtetet e Bashkuara të genocidit turk ndaj armenëve u miratua me 405 vota pro dhe 11 kundër. Kjo është hera e pare që Dhoma e Përfaqësuesve arrin të miratojë një rezolutë që njeh gjenocidin Osman ndaj armenëve. Për dekada me radhë, rezoluta të ngjashme, për një arësye a një tjetër, nuk kanë arritur të hidhen në votë.

Qeveria amerikane nuk e njeh si genocid vrasjen e 1.5 milion armenëve mes viteve 1915-1923 nga forcat osmane turke.

Një deklaratë e ministrisë së jashtme turke e kundërshton rezolutën si “një përpjekje për të rishkruar historinë”, si dhe një “hap të pakuptimtë” që është “krejtësisht i pavlefshëm” në sytë e popullit dhe qeverisë turke.

“Turqia nuk e ka pranuar asnjëherë se ky ishte një genocid,” u tha gazetarëve të martën udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steny Hoyer. Ai tha se është e rëndësishme të njihen genocidet në mënyrë që ato të mos ndodhin më. “Turqit po e marrin këtë sikur ne po pretendojmë se qeveria e tanishme, apo qeveritë e mëparshme, janë angazhuar në gjenocid. Në fakt nuk është ashtu”, tha zoti Hoyer.

Kongresmeni Adam Schiff, mbështetës i rezolutës, i tha Shërbimit Armen të Zërit të Amerikës se miratimi i saj nga Dhoma e Përfaqësuesve ishte “i vonuar”. Shpresoj që miratimi i kësaj rezolute të sjellë pranimin e gjenocidit dhe njohjen më të mirë të njerëzve në këtë vend me faktet për këtë kapitull shumë të errët në historinë njerëzore “.

Rezoluta është sponsorizuar nga dy republikanë – ligjvënësit Gus Bilirakis nga Florida, dhe Peter King nga Nju Jorku – por ndaj saj pati edhe disa kritika gjatë debatit në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ligjvënësi republikan Michael Burgess vuri në dukje se rezolutat e tjera të Dhomës së Përfaqësuesve kanë pranuar padrejtësitë e kryera kundër armenëve dhe argumentoi se koha e ligjvënësve do të shpenzohej më mirë duke debatuar për financimin e qeverisë dhe sigurimin e kufirit SHBA-Meksikë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu