Laporta jep alarmin për Messin, ka një paralajmërim edhe për Xavi

0
Gjigandi

Ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka pranuar se është i frikësuar nga Lionel Messi, se mund të mos e zgjasë kontratën me klubin katalanas për shkak të situatës aktuale të bordit drejtues të tij. Argjentinasi është i kontraktuar në “Camp Nou” deri në vitin 2021, por marrëdhëniet e tij me presidentin aktual të Barçës, Josep Maria Bartomeu, raportohet se nuk janë perfekte, gjë që mund ta komplikojë rinovimin.

Vetë Bartomeu, kohët e fundit theksoi besimin e tij se Leo do të rinovojë dhe ka gjasa ta mbyllë karrierën te Barcelona. Sidoqoftë, ​​Laporta nuk është aq i sigurt për këtë gjë: “Unë dua që Messi të qëndrojë deri në vitin 2021, por kam frikë se vendimet e këqija të këtij bordi mund të çojnë në një vendim të pakthyeshëm. Nuk është “BarcaGate”, është “BartoGate”. Unë jam i shqetësuar për mënyrën se si po rrezikohet statusi i klubit”.

Laporta, i cili po mendon të kandidojë përsëri për president të Barcelonës, ​​gjithashtu ka paralajmëruar Xavi që të mos kthehet për të drejtuar skuadrën në gjendjen e saj aktuale. Bartomeu ka deklaruar se Xavi do t’i stërvisë katalanasit “herët a vonë”, por vetë ish-futbollisti iu ka rezistuar thirrjeve fillestare për t’u kthyer, derisa t’i jepet më shumë fuqi për të ndikuar në çështjet e klubit.

“Po të isha Xavi, nuk do të kthehesha kurrë me këtë bord, – tha Laporta. – Çdo ditë e më shumë kam dëshirë të marr pjesë në zgjedhje. Disa kushte konkrete janë të nevojshme, që unë të mos ndjehem rehat duke I parë gjërat në distancë, por të kandidoj tani”. Duke folur në maj, Laporta shprehu një dëshirë të qartë për ta rikthyer Barcelonën në rrugën e duhur, duke përmendur se do të donte që Pep Guardiola të kthehej dhe të drejtonte skuadrën katalanase.

“Unë jam duke punuar për ta prezantuar veten si kandidat presidencial, – tha Laporta për TV3. – Kam qenë president më parë dhe jam i entuziasmuar të rikthehem. Situata në vitin 2021 do të jetë dramatike dhe ne do të duhet ta kthejmë për mirë atë. Unë jam duke punuar me njerëz, te të cilët kam besim”.

RonaTyra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu