Martin Braithwaite thotë se njerëzit e shikojnë ndryshe tani që ai luan për Barcelonën dhe e pranon se jeta e tij ka ndryshuar rrënjësisht jashtë fushës së lojës që prej se iu bashkua liderit të La Ligës.
Braithwaite iu bashkua Barcelonës nga Leganes në muajin shkurt si nevojë e jashtëzakonshme, pasi klubi katalonas kishte mbetur pa sulmues pothuajse, për shkak të lëndimeve të shumta në skuadër në atë kohë.
Sulmuesi danez i bëri tri paraqitje për Barçën para se La Liga të pezullohej si pasojë e shpërthimit të pandemisë koronavirus, ndërsa paraprakisht i kishte shënuar tetë gola në 24 ndeshje për Leganes.
Kalimi në Barcelonë, thotë Braithwaite, ishte moment përcaktues në karrierën e tij deri tani dhe diçka që ka pasur ndikim tejet të madh në jetën e tij jashtë futbollit.
“Ndihem shumë krenar. Thashë me vete se puna e zellshme më është shpaguar dhe kjo më ka frymëzuar edhe më shumë për të bërë më shumë në karrierën time”, tha ai.
Braithwaite shtoi: “Shumë gjëra ndryshuan për faktin sepse tani luaj për ekipin më të mirë në botë. Njerëzit më shikojnë ndryshe dhe të njohin më shumë sepse fytyra ime është më e njohur tani. Përtej futbollit, ndryshoi pak, por në fund të fundit, futbolli mbetet futboll”.