Karriera e Francesco Toldo mund të identifikohet me krenari përmes dy “flamujsh”; atë vjollcë të Fiorentinës dhe zikaltër të Interit. Ky i fundit e bleu portierin në vitin 2001 për 55 miliardë lireta, çka ishte një shumë vërtet e madhe në atë kohë.
Pikërisht, duke iu referuar verës së transferimit të tij në Milano, ish-portieri venecian tregoi një prapaskenë të merkatos, që mund të dërgonte jashtë vendit, pikërisht në Spanjë, te Barcelona e Rivaldos: “Unë isha afër nënshkrimit me Barcelonën, por mësova për interesin e Interit dhe nuk hezitova të kaloja atje. Doja të luaja në një klub të shkëlqyer italian, gjithmonë kam qenë krenar për këtë zgjedhje. Kur dikush arrin tek Interi, ai duhet t’i ketë të gjitha kredencialet për të bërë mirë, duhet të jesh i strukturuar dhe i plotë.
Është e vështirë, por në të njëjtën kohë edhe emocionuese”.
Një zgjedhje e përshtatshme për Toldo, që e bëri atë të fitojë pothuajse gjithçka me zikaltrit: pesë “Scudetto”, tri Superkupa Italiane, tri Kupa të Italisë dhe, mbi të gjitha, Ligën e Kampionëve të vitit 2010. Në këtë të fundit ishte zëvendësues, nën hijen e “pronarit” të portës, Julio Cesar.