Nën drejtimin e ministres së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë Mirela Kumbaro është mbledhur Task Forca e turizmit, në vijim të punës që ka nisur që në tetor për përgatitjet e sezonit.
Kumbaro vuri theksin në bashkëpunimin e të gjitha instancave shtetërore për mbarëvajtjen e sezonit, duke njoftuar edhe nisjen e një aksioni final me ndihmën e ushtrisë në dhjetë ditët e fundit të muajit maj.
“Katër bashki bregdetare do të asistohen nga një operator shtesë përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Gjithashtu në datat 20-30 maj do të angazhojmë në terren edhe forcat e ushtrisë për të përforcuar punën për pastrimin e territorit. Këtë vit situata e mbetjeve paraqitet shumë më mirë dhe territoret e bregdetit janë pastruar dhe kanë nisur çeljen e sezonit”,
tha Kumbaro.
Gjithashtu ministrja njoftoi se strukturat e përkohshme të shërbimit, të quajtura ndryshe si “beach bar” kanë kaluar nën filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe janë publikuar lejet për to.
“Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar të gjitha lejet e beach-bareve në koordinim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkive, duke i publikuar ato edhe online. Kjo është hera e pare që ndodh. Për menaxhimin e stacioneve të plazheve nga subjektet private kishim 540 aplikime të kualifikuara, por 24 rezultojnë se nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Për këtë shkak, siç e kemi njoftuar që në janar, nuk do t’u lidhet kontrata. Të gjithë kanë edhe detyrimin për të pasur rojën bregdetare dhe për këtë do të ketë kontrolle”,
tha Kumbaro.
Referuar të dhënave që vijnë nga turoperatorët, por edhe statistikave të vizitorëve të huaj gjatë muajve të parë të këtij viti, ministrja Kumbaro u shpreh se pritet një fluks turistësh.
Pjesë e takimit të Task Forcës ishin drejtues të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Kulturës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit etj.