Liverpool është kampioni i merituar i Premier League dhe askush nuk mund të thotë të kundërtën. Por, duke njohur shpirtin e trajnerit të tij, humbja e mbrëmshme me Manchester City (4-0) peshon jo pak. Në fakt, trajneri gjerman nuk e vinte në dyshim angazhimin e lojtarëve të tij, por si duket, sigurimi i titullit e uli vigjilencën dhe motivimin e tyre.
Klopp iu përgjigj kështu pyetjes në lidhje me përqendrimin e ekipit të tij: “Rezultati flet vetë, nuk ishim në lartësinë e duhur. Neve na mungoi rrjedhshmëria, ndërsa kundërshtari ishte më i shpejtë në disa situata. Manchester City shfrytëzoi shanset e veta, ndërsa ne jo”.
Gazetari këmbënguli, pasi përgjigjja e gjermanit nuk e kënaqi kuriozitetin e tij në lidhje me këtë paraqitje të dobët të kampionëve të rinj. Klopp nuk u zhbilancua: “Është hera e dytë që më pyet për këtë. Nëse dëshiron ta titullosh këtë histori se nuk ishim të përqendruar, bëje, por unë jam i kënaqur me qëndrimin e ekipit tim”. Pas kësaj, trajneri i “Reds” komplimentoi “qytetarët”: “Unë e kam parë sezonin e Manchester City dhe nuk ka luajtur asnjëherë keq, edhe kur ka humbur. Nëse ka një ekip, që mund të na mundë në këtë mënyrë, ai ndoshta është Manchester City”.