Në Gjermani vazhdon akoma të jetë një temë e nxehtë çështja e rinovimit të Manuel Neuerit me Bayern Munchen.
Portieri, në skadencë kontrate me kampionët e Gjermanisë në vitin 2021, nuk e ka gjetur ende gjuhën e përbashkët me drejtuesit bavarezë për firmosjen e kontratës së re.
Sipas “Bild”, palët janë ende larg për shkak të kohëzgjatjes së marrëveshjes së gardianit, i cili në moshën 34-vjeçare ka zëra se kërkon një kontratë 5-vjeçare, edhe pse ai e ka mohuar që ky të jetë problemi i ngërçit me klubin. Rekordmenët ngurrojnë ta bëjnë një gjë të tillë, pasi kanë transferuar pasardhësin e tij nga Schalke, Aleksander Nubel.
Sipas portalit spanjoll “todofichajes.com”, Juventusi është gati që të përfshihet në këtë situatë dhe ka vendosur edhe kontaktet e para me kapitenin e Bayernit dhe kombëtares gjermane. Zbulohet edhe shifra që bardhezinjtë janë të gatshëm të ofrojnë për portierin legjendar: ajo është 15 milionë euro.