Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur inventarizimin e dosjeve, të cilat pritet të kalojnë në duart e prokurorëve të SPAK. Në total organi i akuzës ka 590 dosje nga të cilat rreth 170 pritet t’i kalojnë prokurorëve të SPAK. Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ka bërë që drejtuesja e Komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela të mbledhë prokurorët për të bërë inventarin e dosjeve të cilat do të kalojnë në duart e Prokurorëve të SPAK. Në total Krimet e Rënda kanë pasur nën hetim 590 dosje prej të cilave rreth 170 do të kalojnë në duart e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Ndërsa pjesa tjetër e çështjeve do të shpërndahen në prokuroritë e tjera të vendit. Çështjet që do të hetoj SPAK-u kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e Organizuar. Disa nga dosjet që më të nxehta dhe që priten të hetohen nga SPAK janë: dosja 339 ku u goditën 4 grupe kriminale midis tyre edhe Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale. Çështje për të cilën pritet që të rimerret në pyetje edhe ish-Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Dosja 184, që aktualisht po hetohet nga Prokuroria e Dibrës e cila i ka ndryshuar numrin në dosjen 385, ku po hetohet shitblerja e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër. Në përgjimet e publikuar nga gazeta gjermane “Bild”, u shfaqën një sërë zyrtarësh të lartë të Partisë Socialiste, duke folur për blerje të votave. Trafikimi i 137 kilogramëve kokainë të kapura pak kohë më parë në portin e Durrësit, çështja e ndarë për sasinë rekord prej 613 kg kokainë të kapur ndonjëherë në vendin tonë prej, dosja e grupit Kriminal të Bajrajve të Shkodrës, vrasja e avokatit të Emiljano Shullazit në qytetin e Elbasanit Ravik Gurra, çështje për të cilën hetimet kanë ngecur në vend. Doja për Suel Çelën, i cili akuzohet për vrasje të mbetur në tentative ndaj shefit të policisë në Elbasan Gjergji Oshafi. Dosja për grupin e Habilajve, vrasja e ish-Policit Santiago Malko, me autor të dyshuar grupin kriminal të Dukëve e të tjerë. Inventari i dosjeve nga Krimet e Rënda pritet që të vazhdojë deri më datë 28 Tetor për shkak të volumit që kanë fashikujt hetimorë. Më datë 25, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës ku do të diskutojë për ngritjen e SPAK. KLP ka 8 prokuror të vetuar ndërkohë pritet që të komandojë edhe dy prokurorë të tjerë që kanë qenë kandidatë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, por që kanë kaluar vettingun me vendim të formës së prerë.