Greqia është në favor të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, jo vetëm sepse transformon një faktor stabiliteti në rajon, por gjithashtu sepse është një levë demokratike e domosdoshme për të modernizuar fqinjët tanë dhe zgjidhjen e çështjeve bilaterale” Eshtë shprehur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dje në mbrëmje, gjatë fjalimit zyrtar në Selanik. Për Shqipërinë kujton respektimin e minoritetit grek. “Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë dëshirojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Por, kusht për progres të përbashkët, për të çelur një moment rrugën europiane për Shqipërinë, është respektimi i minoritetit grek dhe të drejtave të tyre”, tha ai. Mitsotakis ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër marrëveshjes së Prespës, por ka theksuar se pala greke tashmë e respekton plotësisht dhe nuk dëshirojnë peripeci të tjera për Greqinë. “Ende besoj se marrëveshja e Prespës është negative për vendin tonë por nuk do të ekspozoj vendin drejt aventurave. Pa rrezikuar destabilizimin më të vogël, ne do të monitorojmë nga afër detyrimet e fqinjëve tanë, pajtueshmërinë e fqinjëve tanë me detyrimet e tyre. Kjo është ajo që dikton sot realizmi patriotik i vërtetë. “