Pas incidentit të djeshëm në ndeshjen Gjilani – Prishtina, gjatë ditës së sotme Komisioni i Garave në Federatën e Futbollit të Kosovës ka dal me një reagim.
Në reagimin e tyre thuhet se Komisioni i Garave shpreh shqetësimin për ngjarjen e fundit të ndodhur në Gjilan, në ndeshjen Gjilani – Prishtina, që krijon imazh të keq për futbollin tonë. Për këtë ngjarje KG do të diskutojë dhe do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe materialet zyrtare në mbledhjen e radhës pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 29-të në Ipko Superligë.
Ja reagimi i plotë:
Komisioni i Garave vlerëson se ky kampionat është njëri nga më interesantët që nga paslufta, ku si gara për titull ashtu edhe ajo për mbijetesë është masive dhe e paqartë. Një gjë e tillë pa dyshim ka ndikuar edhe në rritjen e rivalitetit dhe të cilësisë së futbollit, por natyrshëm rrit edhe presionin tek klubet dhe tek zyrtarët e ndeshjeve. KG shpreh shqetësimin për ngjarjen e fundit të ndodhur në Gjilan, në ndeshjen Gjilani – Prishtina, që krijon imazh të keq për futbollin tonë. Për këtë ngjarje KG do të diskutojë dhe do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe materialet zyrtare në mbledhjen e radhës pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 29-të në Ipko Superligë. Me këtë rast apelojmë që klubet të përmbahen nga deklaratat e pamatura dhe veprimet e dhunshme, veçmas nga zyrtarët e klubeve, të cilët në shumë raste po nxisin situata të pakëndshme brenda fushës së gjelbër. Njëherësh kërkojmë edhe nga trajnerët që të jenë shembull i mirë dhe ta ruajnë gjakftohtësinë, teksa apelojmë edhe te gjyqtarët që të bëjnë punën e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe të mos bien pre e presioneve apo ndikimeve. Komisioni i Garave do të vazhdojë të punojë me të gjitha organet e tjera të FFK-së për mbarëvajtje sa më të mirë dhe përmbyllje të suksesshme të këtij edicioni garues.
Me respekt,
Komisioni i Garave
Abdyl Bellopoja, kryetar