Rreziku nga ndikimi i huaj e ka zhvendosur Ballkanin Perëndimor në qendër të vëmendjes së shteteve europiane.
Gjermania dhe Austria u pajtuan për nevojën e një reformimi institucional të Unionit, në mënyrë që të jetë gati për të pranuar anëtarë të rinj. Kancelarët, Olaf Scholz dhe Karl Nehammer, theksuan rëndësinë e nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të përshpejtimit të procesit integrues për vendet e tjera të rajonit.
“Çdo shtyrje e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor të prekshëm dhe të hapur ndaj ndikimeve të palëve të treta.
Ne duhet të çojmë përpara reformat institucione në BE për të qenë gati për zgjerim”, tha Scholz.
“Ballkani Perëndimor është një rajon i rëndësishëm gjeo-strategjik i Austrisë. Kemi një histori dhe traditë të gjatë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne duhet të intensifikojmë atë që është thënë deri më tani: nuk duhet që thjeshtë të diskutojmë për perspektivën europianë, por veprim”, u shpreh Karl Nehammer.
Liderët e Gjermanisë dhe Austrisë i druhen faktit se Ballkani Perëndimor mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës nëse nuk bëhen përparime të shpejta në integrimin e tyre në BE.
Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë përparuar më shumë në rrugëtimin drejt bllokut, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po qëndrojnë prej vitesh te dera e BE-së pa iu dhënë mundësia për të hapur kapitujt e parë të integrimit.
Aktualisht është vetoja e Bullgarisë ndaj Shkupit që ka bllokuar këtë proces. Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk kanë marrë ende statusin e vendit kandidat dhe konsiderohen larg anëtarësimit./A2 Cnn