Gjyqi ndaj të akuzuarve si “grup armiqësor i Mehmet Shehut”, zhvilluar në Tiranë, në vitin 1983, nxori në dritë disa nga sekretet, krimet apo edhe gafat më të mëdha të komunizmit shqiptar.
Mes të tjerave, në këtë proces, i akuzuari Llambi Peçini, një ish-funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, është detyruar të rrëfejë, përpara trupit gjykues, një histori të viteve 1960-1961, që dëshmon një faqe tjetër të panjohur të policisë politike të Enver Hoxhës, njohur zyrtarisht si Sigurimi i Shtetit.
Si të përsëriteshin, këtë radhë në realitet, ngjarjet e romanit fiction “Njeriu ynë në Havanë” të autorit britanik Graham Grin (Graham Greene), publikuar vetëm dy-tri vite më parë, më 1958, një mashtrues italian, emërtuar me pseudonimin “Rampa” kontakton me Sigurimin e Shtetit dhe nis pazarin tu shesë komunistëve shqiptarë sekretin e bombës atomike.
Nuk dihet nëse Enver Hoxha e donte për vete këtë sekret, apo e pretendonte se skicat mund ti hynin në punë aleatëve të rinj kinezë, të cilët vetëm në vitin 1964 do të realizonin testin e parë të suksesshëm të një bombe nukleare.
Gjithsesi fillimisht nuk nxitohen.
Sigurimi i Shtetit nis verifikimet nëse italiani ishte një propozues serioz, apo një mashtrues.
Agjentët e tij në Francë, ku italiani pretendonte të merrte formulat sekrete, hidhen në veprim dhe vërtetojnë se kishte mundësi absolute që të bëhej fjalë për një mashtrim.
Agjenti ynë në Itali, i cili mbante kontaktet me “Rampën”, thirret në Tiranë për shpjegime.
Njëkohësisht Kryeministri i kohës, Mehmet Shehu, në rrethana që nuk sqarohen mirë, firmos dhënien e shumës së të hollave.
Paratë fluturojnë në xhepat e italianit mashtrues, ndërkohë që kinezët e sjellin përgjigjen e ekspertizës së formulave sekrete tepër vonë.
Aty shkruhej: Është një mashtrim.
DOKUMENTI
Deklarimi i Llambi Peçinit në sallën e gjyqit, 23 gusht 1983.
“Tani kam po për Kadriun prapë. Lidhur me një agjent që kishim neve, kjo ka ndodhur ose në 60 ose në 61 nuk më kujtohet mirë viti po duhet të jetë ose 60 ose 61, unë u ktheva përsëri në zbulim mbasi qeshë në Sekretariat.
Edhe rezidenti jonë në Itali, përgjegjësi i zbulimit tonë në Itali ishte Dhimitër Gjoni dhe na informon se kishte mundësi të merrte nëpërmjet agjentit “Rampa” një predhë kundërtank të mbiquajtur “Kobra” të telekomanduar.
Por donte 2000 dollarë për këtë pune, që ta blinte atë. Gjithashtu pak kohë më vonë përsëri na informon përgjegjësi i zbulimit Dhimitër Gjoni nga Roma edhe thotë se agjenti “Rampa” ka mundësi të marrë sekretin e bombës atomike. Por kërkon 6000 dollarë sepse ka një mik të tijin që e ka në qendrën atomike të Francës, franceze, edhe mund ta marrë këtë, por do 6000 dollarë dhe 2000 për “Kobrën” bënin 8000 dollarë.
Tani ne e morëm këtë të dhënë dhe unë i bisedoj me Zoin (Themeli – Drejtori i Zbulimit). Studioje dosjen e agjentit “Rampa” mbasi studioj dosjen e agjentit “Rampa” kërkoi të dhëna nga përgjegjësi i zbulimit tonë në Romë. Si, qysh, nga e njeh këtë person.
Ai na dërgoi d.m.th. sikur ky agjenti “Rampa” i kish dhënë numrin e telefonit në Paris të këtij shkencëtarit atomik, i kish dhënë adresën se ku jetonte ai dhe e treta kish lënë dhe takim me këtë për një datë, nuk e di pas një muaji, mbas një kohe të caktuar kish lënë takim agjenti jonë me këtë shkencëtarin mikun e tij d.m.th. Në këtë kohë unë i bëj një kërkesë rezidenturës sonë në Francë dhe i them që të verifikohet kush banon në këtë adrese d.m.th. atje ku na thoshte ai se banon ky atomisti.
Të verifikohet ky numër telefoni, kush është abonues i këtij numri telefoni dhe na njoftoni sa më parë për këtë punë – i them unë. Na bie përgjigje rezidentura e Parisit që në filan adrese d.m.th. ekzakt se i dhamë numrin ekzakt, banon fi1ani d.m.th. tjetër për tjetër, jo ky që thoshte agjenti “Rampa” dhe numri i telefonit që na dhatë nuk ka të abonuar.
Francezet kishin një ashtu metode d.m.th. që kur një numër nuk kishte të abonuar kishte një bllok regjistrimi që thoshte ky numër nuk ka të abonuar, ky numër nuk ka të abonuar dhe gjithnjë këtë përsëriste me që11im që ai të mos priste shumë, edhe e mbylli d.m.th. ky numër nuk kishte të abonuar d.m.th. na gënjeu. Ishte gënjeshtër.
I dërguam dhe fotografinë të atij agjentit “Rampa” përgjegjësit të zbulimit të rezidenturës tonë në Francë që do takohej në kafe “De la pen”, (café de la paix, red) “Kafen e paqes”, është një kafe e madhe në Paris, në filan orë. Nuk vajti ai. Na përgjigjet në filan orë në filan ditë nuk erdhi filani, nuk erdhi një person i tillë. Ne fotografinë ja dërguam të re ashtu siç ishte në momentin e atëhershëm ai. D.m.th., tre momente që ishin shumë të dyshimta që ky na gënjente.
Atëherë unë bëra shënim në dosje dhe them ky agjent është provokator ose kërkon të na zhvasë sa më shumë, prandaj nuk jam dakord që t’i jepen 8000 dollarë. Edhe i them Zoi Themelit, i them që ky Dhimitër Gjoni nuk e ka drejtë.
Atëherë ishte drejtori i Zbulimit, zëvendësdrejtor ishte Rasim Dedja, prandaj ose të shkojë Rasimi atje ose të shkoj unë i thashë ose më mirë ta thërresim Dhimitër Gjonin këtu për arsye se atje nuk mund të bisedosh gjatë e gjerë me rezidentin, do ruhesh. Ta thërresim. E thërresim Dhimitër Gjonin. Tashti ky ishte problemi më i rëndësishëm për Drejtorinë e Zbulimit, Zoi Themeli, kur erdhi Dhimitër Gjoni më tha mua bisedoje, tha, me Dhimitrin.
Po thashë unë, ta bisedosh ti se ti je Drejtor i Zbulimit, unë jam kryetari i degës thashë. Unë ndiqja rezidenturat jashtë. Jo, jo tha se unë kam punë. S’ka punë më të madhe se sa këtë Drejtoria e Zbulimit Politik i thashë unë. Jo, jo tha, shko takoje ti dhe nesër hajde me raporto. Vetëm kam ndenjur me Dhimitër Gjonin për t’i mbushur mendjen se e kisha shok dhe për t’i mbushur mendjen që nuk e ka mirë.
Edhe më në fund dhe si kryetar dege e kisha në linje atë. U bind Dhimitri dhe më në fund dhe tha po është ashtu, ky është provokator, ky është agjent. Vemi të nesërmen i raportojmë Zoit. Zoit duhet t’i raportoja unë dhe unë po bëhesha gati të raportoja, tha thuaj si është puna i tha Dhimitrit. Dhimitri filloi të flasë. Çfarë do fliste Dhimitri, foli po ato që na kish dërguar neve. Hajde shkojmë te ministri për në Kadriu.
Mor po dale të ashtu… Hajde – hajde të shkojmë. Vajtëm te Kadri Hazbiu dhe i raportoi Zoi tashti Kadriut për atë që na kish informuar neve rezidentura e Italisë që përpara. Kadriu merr Mehmet Shehun në telefon edhe i thotë që kemi një problem edhe i kërkoi 8000 dollarë se nuk mund të jepte Zoi 8000 dollarë edhe Kadriu nuk mund të jepte 8000 dollarë edhe mori Mehmet Shehun në telefon. Unë i thashë në këtë kohë.
Mehmeti i thotë që hajdeni se Mehmet Shehut i tha të vijmë një çikë pa i folur për këtë apo atë arsye. Unë i thashë Kadri Hazbiut, more shoku ministër ka disa momente shumë të dyshimta këtu i thashë. Po mirë, tha, sqarojini këto.
Unë jam i mendimit të mos i jepen këto. Mirëpo meqenëse priste Mehmet Shehu ikën dhe më lanë mua. Unë u ngjita në zyrën time kur më vonë më vjen në zyrë Dhimitër Gjoni dhe me thotë se ato u aprovuan, 8000 dollarët.
I thashë unë, tashti po të them si shok i thashë se si kryetar dege e bëra punën, po e bërë këtë, i thashë, do fëlliqesh do turpërohesh, mos i jep paratë. Mua me vinte inat dhe për 8000 dollarët se ishte një shumë e madhe po më vinte me shumë inat që po na i hidhte një maskara, po tallej me autoritetin e zbulimit tonë. Në fakt kështu doli.
Ja dha paratë Dhimitër Gjoni, na dërgoi neve filma, të filmuar sekretin e bombës atomike, në thonjëza dhe të kësaj, për predhën “Kobra” na dërgoi një reviste të bukur kështu që e kishte në shtyp ajo dhe atë na dërgoi si material për 2000 dollarë.
Në këto filma nuk kishim mundësi t’i lanim e t’i zhvillonim, por nuk kishim mundësi dhe t’i kuptonim edhe u vendos nga ministri, atëherë nga Kadri Hazbiu, u vendos që të dërgoheshin në Kinë këto. Edhe ju dërguan Kinës. Kinezet e zgjatën, e zgjatën, vajti nja 3 muaj kjo. Mbas nja 3 – 4 muajsh kinezët u përgjigjen që ky është një blof. Është një blof, po i kushtoi shtetit tonë 8000 dollarë”.