Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, ishte i ftuar në “Radio Prishtina”. I pari i klubit kryeqytetas si fillim foli për ndalimin e tifozëve në stadiumet kosovare.
Ditët e fundit është komentuar shumë në medie mungesa e tifozëve në stadiumet e Kosovës.
Si fillim u paralajmërua se nga 29 qershori do të lejohen tifozët në stadiume, por më pas një vendim i ri i Qeverisë së Kosovës bëri që të mos ndodhë një gjë e tillë.
“Futbolli luhet për tifozë dhe ky sport nuk ka kuptim pa tifozë. Besoj se me kohë çdo gjë do të ndryshojë dhe të rikthehen tifozët. Industria e futbollit është e madhe dhe tifozët janë pjesë e rëndësishme. Te ne nuk ka pasur shumë tifozë, por shpresoj shumë se do t’i rikthehemi normalitetit”, ka thënë Remzi Ejupi.
“Nëse tifozët do të ishin të disiplinuar në stadiumin e Prishtinës nuk do të kishte problem që të vijnë tifozët. Mirëpo, ne e respektojmë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”, shtoi Ejupi.
Prishtina edhe në këtë edicion po e synon titullin kampion në Kosovë. Pas xhiros së 27-të ky ekip ndodhet në pozitën e dytë me 54 pikë, katër më pak se lideri Drita.
Prishtina është kualifikuar edhe në finale të Digitalb Kupës së Kosovës, ku do të përballet me Ballkanin.