Jerzy Dudek ishte heroi i Liverpoolit në finalen historike të Ligës së Kampionëve para 15 vjetëve, duke i ndihmuar të kuqve ta arrijnë rikthimin më të jashtëzakonshëm në një finale të madhe kundër Milanit.
Portieri polak ishte heroi i mbrëmjes gjatë penalltive, por ai mbahet në mend edhe për një pritje të dyfishtë ndaj Andriy Shevchenkos, falë të cilës Liverpooli nuk u mposht në kohën shtesë.
Pasi skuadra angleze e barazoi rezultatin nga 3:0 në 3:3 falë golave nga Steven Gerrard, Vladimir Smicer dhe Xabi Alonso në pjesën e dytë, Milani pati mundësi të artë të fitonte në kohën shesë, para se ndeshja të vendosej në penallti në finalen e Stambollit më 2005.
Serginho e harkoi topin nga krahu i djathtë dhe e gjeti Shevchenkon në zonë. Dudek e bëri një pritje të mrekullueshme ndaj goditjes së sulmuesit ukrainas me kokë dhe pak sekonda më vonë ia pamundësoi golin atij me një pritje tjetër madhështore pas topit të kthyer.
Polaku goli për Goal për kujtimet nga ajo natë dhe tregoi sesi Shevchenko nuk mund të besonte se ai ia kishte mohuar golin e fitores.
“Iu deshën Shevchenkos dy vjet për ta marrë guximin për të më pyetur. Ishim në Kardif duke punuar së bashku për kandidaturën e përbashkët të Polonisë dhe Ukrainës për Euro 2012. Patëm rastin ta njohim njëri-tjetrin shumë mirë gjatë asaj kohe dhe Sheva e shfrytëzoi mundësinë të më pyes për atë pritje të dyfishtë”, zbuloi Dudek për Goal.
“Unë i buzëqesha dhe i thashë ‘mos u brengos. Ti i pate pesë minutat kundër Juventusit më 2003, ndërsa unë i pata pesë minutat e mi në Stamboll’. E vërteta është se nuk mund ta shpjegoj se si i bëra ato pritje. Ishte nga a to momentet e shpejta ku njeriu varet nga instinkti, refleksi, dhe natyrisht, nga fati”, shtoi ai.
Dudek po ashtu priti penalltinë e fundit nga Shevchenko, që ishte vendimtare dhe i siguroi Liverpoolit titullin e 5-të të kampionit të Evropës.