Drejt fundit investimi 3 miliardë lekë për mbrojtjen nga përmbytjet e Vjosës – Lajmi i Fundit

0
18

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z.Bledi Çuçi, ishte në Selenicë për të parë nga afër një prej investimeve më të mëdha që po kryhet në atë zonë për mbrotjen nga përmbytja e lumit Vjosë. Rreth 3 miliardë lekë janë dhënë nga qeveria për ndërtimin e 8 penelave mbrojtëse dhe një argjinaturë të re, për të frenuar përmbytjen dhe gërryerjen e tokave bujqësore, si dhe vërshimin e prurjeve të lumit në stacionin e ujit të pijshëm.

“Kjo është një nga ndërhyrjet më të mëdha në Lumin Vjosa. Janë duke u ndërtuar 8 penele mbrojtëse. Ky është një vend ku lumi mbyt dhe gërryen një pjesë të madhe të tokave bujqësore. Me investimin që po bëjmë, rreth 3 miliardë lekë, do të ndalojmë përfundimisht gërryerjen e tokave nga vërshimet e lumit. Veç kësaj kemi bërë edhe argjinaturën, e cila s’ka qenë më parë. Në këtë mënyrë garantojmë edhe mbrojtjen nga përmbytja të stacionit të ujit të pijshëm për Selenicën. Ky është një nga investimet më të mëdha që po bëjmë në Vjosë. Besoj brenda muajit nëntor do ta përfundojmë investimin”, tha ministri Çuçi.
Bashkë me të ishte edhe deputeti i Selenicës, z.Vullnet Sinaj dhe kryebashkiaku z.Pëllumb Binaj, si dhe kryebashkiaku i Fierit, z.Armando Subashi. Aktualisht punimet në këtë investim janë realizuar në masën 68%. Argjinatura e re me gjatësi 2620 metra dhe 8 penelat mbrojtës pritet të përfundojnë para nisjes së dimrit. Aktualisht Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke kryer investime për mbrojtjen nga përmbytjet edhe në pjesë të tjera të shtratit të lumit Vjosa në Fier.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here