Në ditën ndërkombëtare të demokracisë, Kreu i Shtetit Ilir Meta, ka kujtuar thënien e ish-presidentit të SHBA-ve, Abraham Lincoln, i cili e përkufizonte me fjalët: “Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.
Meta pyet në rrjetin social Facebook, se çfarë regjimi është vendosur në Shqipëri, 30 vjet pas rënies së komunizmit, dhe se a është kjo demokraci një qeverisje e popullit, që buron nga populli.
Sipas tij, përgjigja është e dhimbshme, pasi jemi të fundit në rajon përsa i përket integrimit në BE, dhe se 500 mijë shqiptarë janë larguar në vitet e fundit.
Presidenti thotë ky regjimi i tanishëm po refuzohet nga qytetarët si caku i fundit i demokracisë me braktisje masive të Atdheut, zgjidhja nuk duhet të jetë më largimi
Postimi i Presidentit Meta në Facebook
Në vitin 1863, Abraham Lincoln e përkufizoi Demokracinë si: “Qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.
Një shekull e gjysmë nga kjo deklaratë dhe tridhjetë vite nga rënia e sistemit më të egër komunist të kontinentit, pyetja që shtrojmë sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë është: Çfarë lloj regjimi është vendosur sot në Shqipëri? A është kjo forma më e lartë e demokracisë dhe a i kanë përmbushur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike dhe europiane? A është kjo “Demokraci” një qeverisje e popullit, që buron nga populli, që i shërben popullit dhe që e meriton populli?
Të fundit në rajon para dyerve të BE-së dhe me rreth 500 mijë shqiptarë të larguar vetëm në vitet e fundit, është përgjigjia e dhimbshme!
Ndërsa ky regjimi i tanishëm po refuzohet nga qytetarët si caku i fundit i demokracisë me braktisje masive të Atdheut, zgjidhja nuk duhet të jetë më largimi, por vetëm ZGJIMI, BASHKIMI, REAGIMI, PËRBALLJA dhe NDRYSHIMI!
Në fjalimin e marrjes së Nobelit për Paqe, i mbijetuari i Holokaustit, shkrimtari i jashtëzakonshëm Elie Wiesel i la njerëzimit një mësim të vyer: “Jam betuar që kurrë nuk do të hesht ndaj vuajtjeve dhe poshtërimeve që përjeton një qenie njerëzore. Ne gjithmonë duhet të marrim anë. Neutraliteti ndihmon shtypësin, kurrë viktimën. Heshtja inkurajon torturuesin, asnjëherë të torturuarin. E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca”.
KOHA PËR TË MBROJTUR DEMOKRACINË ËSHTË TANI!