Real Madridi rikthehet në aksion në La Liga në përpjekje për ta ngushtuar diferencën me Barcelonën në krye të tabelës.
Me triumfin bindës ndaj Mallorcas, Blaugranët janë shkëputur me pesë pikë nga rivali i tyre i përhershëm, prandaj Los Blancos duhet ta mposhtin Eibarin në mënyrë që ta ngushtojnë në dy pikë dallimin.
Mbretërit kanë 11 ndeshje në dispozicion brenda pesë javëve të ardhshme në tentativën e tyre për ta fituar titullin pas tre vitesh. Mirëpo, ekzistojnë disa faktorë që mund ta përcaktojnë se a do të shpallet ose jo Reali kampion i Spanjës në korrik.
Të harrohen gabimet e pafalshme
Madridi e ka fituar vetëm një prej katër ndeshjeve të fundit para pezullimit – atë ndaj Barcelonës. Los Blancos lëshuan tetë pikë ndaj kundërshtarëve që është dashur t’i mposhtnin, mirëpo kjo u ka ndodhur shpesh gjatë këtij sezoni.
Në pjesën e parë të edicionit 2019/2020, Reali luajti baras në shtëpi ndaj skuadrave, si Real Valladolid e Real Betis, ndërsa humbi në mënyrë të pashpjegueshme te Real Mallorca.
Forma e mirë në shtëpi
Duke qenë se Estadio Santiago Bernabeu është duke u rindërtuar, Reali do të luajë përkohësisht në Estadio Alfredo Di Stefano, mirëpo kjo nuk duhet të ndikojë në ndeshjet si vendas.
Përkundër barazimeve ndaj Valladolidit, Betisit, Athletic Bilbaos e Celta Vigos, Los Blancos nuk e kanë humbur asnjë ndeshje në shtëpi. Në ndërkohë, kanë regjistruar fitore ndaj të gjitha ekipeve të mëdha, teksa vetëm Valencia ka mbetur që t’i vizitojë.
Krahu i majtë i mbrojtjes
Zidane e favorizon Marcelon para Ferland Mendy në krahun e majtë të mbrojtjes. Mirëpo, ai duhet t’i analizojë kundërshtarët dhe të vendosë nëse ka nevojë për aftësitë sulmuese të brazilianit apo për qëndrueshmërinë defenisve të francezit.
Përqendrimi që nga fillimi
Reali ka pranuar gol i pari në nëntë ndeshje këtë sezon në La Liga, prandaj duhet t’i nisin fuqishëm ndeshjet e mbetura.
Situatë e mirë për Bale
Mund të ndodhë që Gareth Bale të ndihet më komod në mungesë të tifozëve. Uellsiani nuk ka shënuar gol në shtëpi për Realin qe 449 ditë dhe kjo mund të ndryshojë pa presionin e publikut.
Taktikat e zëvendësimit
Zidane ka përdorur më pak se çdo klub zëvendësime gjatë këtij sezoni në La Liga – vetëm 76.
Me ndryshimin e rregullave dhe lejimin e pesë zëvendësimeve dhe rrezikut për lëndime për shkak të pushimit të gjatë, trajneri i Realit mund të detyrohet t’i ndryshojë gjërat.
Ndryshimet në skuadër
Si pasojë e rrezikut nga lëndimet edhe për shkak të ndeshjeve të shpeshta, ekipet pritet të bëjnë rotacione të shpeshta duke u dhënë hapësirë më shumë lojtarëve që në një situatë normale do të luanin më pak.
Kjo do të thotë se Zidane do t’i shfrytëzojë më shpesh futbollistët, si Eder Militao, Luka Jovic, Mariano Diaz, James Rodriguez, Nacho e Brahim Diaz.
Treshja origjinale
Tani që Marco Asensio dhe Eden Hazard mundtë luajnë, Zidane mund të luajë me treshen e sulmit që e ka pasur në mendje në fillim të sezonit.
Dy futbollistët e përmendur mund të angazhohen në krah të qendërsulmuesit Karim Benzema. Në këtë mënyrë, Vinicius duhet të angazhohet më shumë për vendin e tij në skuadër.
Pushimi i Casemiros
Pezullimi i sezonit i ka mundësuar Casemiros që të ketë kohë që t’i pushojë këmbët e tij.
Gjatë këtij edicioni, braziliani ka luajtur 2.220 minuta në total dhe ka startuar në 25 ndeshje – më shumë se cilido lojtar, së bashku me Sergio Ramos dhe Benzema.
Në ndërkohë, ai rrezikon suspendimin për një ndeshjes, në rast se i merr edhe dy kartonë të verdhë në proces.
Përmirësimi i sulmit
Thibaut Courtois ka pranuar vetëm 19 gola deri më tani këtë sezon, statistikë më e mirë se cilido portier – dhe 12 gola më pak se portierët e Barcelonës.
Mirëpo, sulmi i Los Blancos i ka shënuar vetëm 49 gola, derisa Blaugranët e kanë gjetur rrjetën plot 67 herë deri më tani. Prandaj fokusi duhet të jetë përmirësimi i fazës ofensive.