KF Drita në orët e mbrëmjes njoftoi se futbollisti i tyre, Izair Emini ka rezultuar pozitiv me koronavirus “Covid19”. Emini ka mbetur në Maqedoni të Veriut së bashku me bashkëlojtarin e tij, Erjon Vucaj.
Insportin mëson nga burimet brenda klubit gjilanas se mesfushori Vucaj nuk është infektuar me koronavirus, pasi ka rezultuar negativ.
Vucaj kishte bërë testin në të njëjtën kohë me bashkëlojtarët e tij, por rezultatet i janë vonuar.
Mesfushori shqiptar pritet që shumë shpejt t’i bashkohet grupit të Dritës për të vazhduar stërvitjet.
Drita gjatë ditës së sotme ka filluar përgatitjet për vazhdimin e kampionatit, pas vendimit të FFK-së se kampionati do të vazhdojë.
Sot dy herë kampionit të Kosovës i janë bashkuar futbollistët, Bunjamin Shabanin, Lirim Mema, Ardian Cuculi, Darko Tofiloski dhe trajneri i skuadrës Ardian Nuhiu.
FFK ka konfirmuar se futbollistët që kanë qenë jashtë Kosovës gjatë kësaj periudhe, duhet të testohen në vendet e tyre dhe më pas t’i bashkohen skuadrave të tyre.
Ministria e Shëndetësisë dhe Federata e Futbollit së Kosovës dje kanë konfirmuar se futbollistët nuk do të testohen, por në një fazë të më vonëshme.