Çun Lajçi reagon pasi u bë virale një fotografi e tij i shtrirë në varr, skenë nga xhirimet e një…

0
10
Gjigandi

Gjatë këtyre ditëve në rrjete sociale ka qarkulluar një fotografi e aktorit Çun Lajçi, i cili është i shtrirë në një varr.

Ky imazh u bë viral dhe pati reagime të shumta, për të cilin ka bërë një shkrim së fundmi edhe vet artisti.

Lajçi thotë se kjo është realizuar katër vite më parë si skenë e një filmi me regjisoren e ndjerë, Arzana Kraja.

Çuni thotë se tani është ripostuar fotoja që të shpërfaqin katranin e shpirtit, ndaj artistit, e veprimtarisë tij artistike e letrare.

Postimi i plotë i Lajçit (pa ndërhyrje):

“Nuk po m’lanë edhe me vdekë!

E kam ndëgjua shumë herë ket fjalë, nga burra sojnik e gra fisnike, por isha i ri e nuk e tjerrsha ma shumë, fjalën e tyne, me ofshamë!

Nuk po m’lanë me vdekë, me emelet e mia. Hallet e mia po ua nxanë rrugët!

Ishin ankimet e renkimet me të cilat u rrita, pa e kërkua psehin!

Kur dola n’Prizren, me ba do shkollë, e kur e ndegjova nji hallë, tek i thoshte komshiut: “Aman, m’le të vdes me hallet e mia” thashë; nuk qenkemi vetëm ne katundarët, që na pengon smundja, fukarallaku, gazepi i tjetrit!

Sa popull i “zgjuet” ky populli im! Sa “shpirtbardhë”! Mbase populli ma dorëliri për shamje, ofendime e mallkime.

Dhe

E shfrytëzova rastin, teksa po xhironim film me regjisorën, (tani të ndjerë), Arzana Krajën. Po e lueja nji plak, të cilit ia kishin vra familjen Milicia serbe, e nga dëshpërimi, ia hapte vetës varrin, por natën ia mbulonte nusja e djalit, e cila kishte shpëtua me plakun!

I thashë Arzanës, me lejen tande po e postoj ket foto ne Facebook, me nji fjali: Me tregoni kujt i mbet Çakorri? Po e baj protesten time, me ket skenë filmi, i thashë! Sepse ishte viti i protestave për Kullë e Çakorr, e n’ato protesta, (si rugovas) isha i përfshimë edhe unë!

Tani, mbas 4 vitësh, “zemër bardhët” “dashamirët”, analfabetët, “atdhetarët” e kanë ripostu foton, por pa fjalinë time t’kohes, që ta shpërfaqin katranin e shpirtit, ndaj artistit, e veprimtarisë tij artistike e letrare. Hej! U pengon dalja ime rrugëve me librat e mi! U pengon qëndresa ime?! Mos përkulja, mos dorëzimi, mos shitja te asnjena parti, jo tash, por që 22 vite!

Thashë: Kjo s’do të ndodhte sikur t’isha të Ramushi! Të Albini, të Memli! Jo, s’do të ndodhte, sepse jemi populli frikacak e do tu frigoheshin edhe hijeve të tyne, e s’do t’me shanin!

Ne e duem gurin! E duem zjarrmin! E duem mjegullen!

E urrejmë diellin, ujin e dheun! Mjerë ne për zemrat që i kemi!

Mjafton ti lexoni komentet të kjo foto (nëpër portale) e të bindeni ne këtë që ua thashë!

Me thirren televizionet e Shqipnisë për sqarim, sepse jemi të tmeruem nga këto shkrime, për nji kalibër artisti, m’thanë!

Lereni të shfryhen “zemërbardhët”, se jemi popull që s’lexojmë ma shumë, se ç’flet nji fotografi, iu thashë!

Na pengon gjama, ofshama, vdekja e tjetrit, ndaj vërsulemi si hijenat me i hangër edhe t’vjellat tona!

Popull, që s’e don të vërtetën! Popull që ushqehet me rrenën! Ky jemi ne!

Ja ku e keni foton e 2017-tës, ndaj shajeni fytyrën tuej, se timen e ka krujua Zoti!

Maj, 2022″. /abc24.al/

Çun Lajçi (Foto: Facebook)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu