Ai nuk ka qenë pjesë e grumbullimit të kombëtares prej ditës së parë për sfidat e qershorit. Nuk luajti dot as ndaj Islandës në tranfertë. Shkak u bë infektimi me Covid-19. Megjithatë, do të jetë në dispozicion të trajnerit Edy Reja për sfidën e radhës në Ligën e Kombeve, atë që do të luhet më 10 qershor në “Arena Kombëtare” kundër Izraelit.
Armando Broja konfirmon gatishmërinë për të dhënë ndihmën e tij, me shpresën dhe besimin se do të marrin 3 pikët ndaj izraelitëve, pas barazimit 1-1 në Rekjavik. Ylli i sulmit kuqezi doli në konferencë për shtyp dhe iu përgjigj interesimit të gazetarëve:
“Po, jam i gatshëm për Izraelin. Fizikisht jam mirë. Kam qenë me Covid, por e kalova. Tani jam rikuperuar. Kam bërë stërvitje personale në Angli disa ditë. Pardje kam ardhur dhe jam stërvitur me kombëtaren.
Islanda? Trajneri e përgatit ekipin. E pashë ndeshjen, unë them që kemi luajtur mirë. Prapë mundemi të bëjmë më shumë si skuadër. Kundër Izraelit do të jetë më e vështirë. Po stërvitemi në maksimum dhe ishalla dalim me 3 pikë pasnesër.
Raporti me trajnerin Reja? Kam folur me të kur erdha këtu. Më pyeti si jam fizikisht. Në fund është ai që do të zgjedhë 11 futbollistët titullarë. Nëse do të më aktivizojë, do të jap maksimumin.
Rënia në pjesën e fundit të sezonit te Southampton? Performancat e mia nuk ishin shumë të mira në pjesën e dytë të sezonit. Në fakt, edhe si ekip ramë pak. Por, nuk është justifikim. Kam dhënë maksimumin në stërvitje.
Më mirë ta nis nga stoli apo si titullar? Unë them që luaj më mirë nga fillimi, por është vendim i trajnerit. Çfarë thotë ai, duhet ta dëgjoj. Nuk kam presion kur luaj futboll. Jam i ri, por futbolli është gjëja më e bukur për mua. Nuk është e vështirë. Kënaqem kur luaj dhe jap maksimumin kur futem në fushë.
E ardhmja ime? Të shohim. Për momentin jam kthyer te Chelsea. Nuk e di, po flas me familjen dhe agjentin tim. Deri tani jam te Chelsea. Mesazh për tifozët kuqezinj? I falenderoj shumë për mbështetjen që na japin gjithmonë. Ishalla iu shoh të shumtë në “Arena Kombëtare” edhe ndaj Izraelit”.