Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në Twittr shkruan se Shqipëria është vlerësuar në mënyrë pozitive në tregjet ndërkombëtare ku ka dalë për eurobondin 650 milionë euro.
Sipas kreut të qeverisë, përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj! Në postimin e tij në rrjetet sociale, kryeministri sulmon edhe opozitën që sipas tij nuk dinë t’i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi.”
Shqipëria do të kërkojë në tregjet ndërkombëtare 650 milionë euro borxh për të rimëkëmbur ekonominë. Kuvendi i kërkoi pëlqimin Presidentit Meta, teksa ky i fundit fillimisht u shpreh kundër por më pas dha pëlqimin dhe ligji u miratua në Kuvend, 5 ditë më parë.
“Analistët e shifrave që nuk i kuptojnë dhe opozitarët e aritmetikës që nuk e zotërojnë, le ta shohin rezultatin e sapo arritur të Shqipërisë në tregjet e kapitaleve, ku përgjigja për Eurobondin në shqip përkthehet: Besojmë tek Shqipëria dhe tek libri i llogarive të saj!
Meqë këta nuk dinë t’i gëzohen asnjë të mire të këtij vendi dhe meqë unë nuk i konsideroj shpulla për ta sukseset e Shqipërisë, u them se doni s’doni ju, edhe tregjet e thanë sot se ky vend që s’u thye nga tërmeti e s’u gjunjëzua nga Covidi, do dalë më i fortë nga të dyja
Dhe natyrisht, kur një vend arrin këtë rezultat spektakolar në një kohë kaq të vështirë dhe megjithë vajtojcat që e qajnë dhe shajnë përditë, nuk ka se si të mos jesh krenar si kryetar i qeverisë, për librin e llogarive të shtetit që merr një vlerësim kaq spektakolar nga tregjet!
Ah po, se mos harroj, meqë është në modë krahasimi me vendet përreth, le t’i marrin e t’i krahasojnë tani përgjigjet e tregjeve për secilin prej vendeve,që së fundi kanë dalë për Eurobondin në kërkim të financimit të ekonomive postCovid!E di e di, të fundit dalil prapë, 7×7=42″, shkruan Rama.
Shkruar nga: top-channel.tv