Mesfushori i Manchester City-t, Bernardo Silva, mendon se përballja me Real Madrid në Champions League nuk është aspak e mbaruar.
Qytetarët kanë fituar 2-1 ndeshjen e parë të luajtur në Santiago Bernabeu para se futbollit të ndalej për shkak të Covid-19.
Edhe pse një fitore në transfertë i rrit ndjeshëm shanset për një kualifkim në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube, Silva e di se Real Madrid mund ta përmbysë rezultatin në Etihad.
“Është gjithçka e hapur”, ka thënë ai për AS.
“Kur luan kundër një skuadre si Real-i, asgjë nuk është e sigurt. Kemi parë shumë përballje që janë përmbysur në vitet e kaluara”.
“Shikoni çfarë ndodhi me Barçën vitin e kaluar, fitoi 3-0 me Liverpool-in dhe më pas u mund 4-0. Nuk i dihet kurrë”.
“Nuk mund të nënvlerësosh asnjë skuadër, aq më pak Real Madridi-n, që ka fituar 13 Champions”.
“Askush tjetër nuk ka eksperiencën që kanë lojtarët e Real-it në këtë kompeticion, kështu që nuk mund të mendojmë se i kemi mundur”.