Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ka thënë se rikthimi në stërvitje të mërkurën, i është dukur sikur në ditën e parë të shkollës.
Lideri i Premier Leagues ka punuar në grupe të vogla dhe pa ushtrime kontakti, të mërkurën në fushën stërvitore Melwood për herë të parë që nga pezullimi i sportit shkaku i koronavirusit.
Premier League po synon të rifillojë në qershor, ku kanë mbetur edhe 92 ndeshje deri në fund. Garat janë pezulluar që nga 13 marsi.
“Unë jam zgjuar edhe më herët se zakonisht dhe më pas e kuptova se është dita ime e parë”, ka thënë Klopp për faqen zyrtare të Liverpoolit. “U ndjeva sikur ishte dita ime e parë e shkollës – për mua, ishte 46 vjet më parë, por duhet të ketë qenë ndjenjë e njëjtë. U vesha në uniformë dhe për arsyen e duhur, për të shkuar në stërvitje”.
Pos stërvitjeve në grupe të vogla, seanca nuk duhet zgjatur më tepër se 75 minuta për çdo lojtarë. Distanca sociale duhet të respektohet.
“Është sikur fazë para-sezonale për ne. Nuk e dimë sa gjatë dhe nuk do të kemi ndeshje testuese apo miqësore. Ndoshta do të lejohemi më vonë të luajmë mes vete, por nuk do të jetë njëjtë si fazat tjera para-sezonale”, ka shtuar Klopp.